Mjeku Xhevahir Hoxhallari vazhdon të jetë ende në një proces gjyqësor, pasi akuzohet për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Kjo solli vdekjen e 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti. Adoleshentja ndërroi jetë më 29 prill të këtij viti, vetëm pak ditë pas operimit të bajameve. Mjeku Hoxhallari ka pretenduar se nuk është përgjegjës për vdekjen e vajzës, pasi vdekja e saj ka ardhur rreth një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe kanë qenë efektet anësore që i kanë shkaktuar asaj gjakderdhje. Ndërkohë, është bërë akt-ekspertimi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku konstatohet se vdekja e 17-vjeçares nga Korça ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së gabuar gjatë operimit të bajameve dhe moskujdesit të vazhdueshëm pas kryerjes së kësaj ndërhyrjeje mjekësore. Sipas raportit të akt-ekspertimit, mjeku Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra në ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e bajameve, duke i prekur arterien kryesore të qafës, që ka sjellë disa herë pas operacionit hemorragji të madhe, çka solli edhe vdekjen e vajzës. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, prokurori Plepi vendosi me aprovimin e të pandehurit Hoxhallari shtyrjen e afateve hetimore edhe për një muaj, për të kryer disa veprime të fundit, por të nevojshme procedurale për dosjen hetimore.








Ngjarjet


Gjykata dënon dy mjekë për vdekjen e një foshnje


Para disa ditësh dy mjekë u shpallën fajtorë nga gjykata për vdekjen e një foshnje 16-muajshe në tetor të vitit 2006. Prokurorisë së kryeqytetit iu deshën 20 seanca gjyqësore, të zhvilluara brenda 10 muajve që të arrinte në përfundimin se dy mjekët, kirurgu-stomatolog Ramazan Isufi dhe anestezisti Bensar Shuteriqi, janë përgjegjësit për këtë ngjarje.


Fëmija gjeti vdekjen në sallën e operacionit gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në qiellzë vetëm tre muaj pas kryerjes së një operacioni tjetër për dhjamë.


Fëmija është ndjekur nga mjeku Ramazan Isufi dhe anestezisti-reanimator, Bensar Shuteriqi. Familjarët pretendojnë se sapo e kanë paraqitur djalin në spital, mjeku Isufi u ka kërkuar të bëjnë urgjentisht analizat e Orgesit, pasi do t’i bënte menjëherë ndërhyrjen kirurgjikale në qiellzë.


Pas marrjes së analizave, të cilat mjeku Isufi i ka konsideruar të rregullta dhe pa “probleme”, fëmija është futur në sallën e operacionit po atë ditë, nga e cila nuk ka dalë më.