Prokurori Haxhi Giu i arrestuar ditën e djeshme rreth orës 15:20 pranë sheshit "Shqiponja", në Tiranë, nuk është një emër i panjohur në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Ai ishte "tërhequr" vitet e fundit pas transferimit me detyrë në Krujë, ndonëse më herët kishte qenë një personazh mediatik dhe publik.

Prokurori Haxhi Giu
Prokurori Haxhi Giu

Haxhi Giu mbahet mend si një nga prokurorët e dosjes "Hajdari", grupit të përfaqësuesve të akuzës që u morën me hetimin e vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari. Famën kryesore prokurori Giu e mori pikërisht në ato vite, kur pas vrasjes së Azem Hajdarit, në shtator 1998, mori drejtimin e grupit hetimor.

Ndonëse veprimet hetimore kryesore realizoheshin nga oficerët dhe prokurorët e tjerë në grup, Haxhi Giu ishte një nga personazhet më mediatike të çështjes.

Kjo pasi ishte ai që komunikonte me median në intervista apo konferenca shtypi në lidhje me zhvillimet e hetimit të dosjes për vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Duke qenë se çdo deklaratë e tij përbënte lajm, Haxhi Giu u bë në atë kohë një personazh mjaft publik.

NGRITJA NË DETYRË

Pikërisht ky imazh i përforcuar edhe më shumë gjatë procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjen e Azem Hajdarit, u bë shkak që Haxhi Giu të ngrihej në detyrë. Pas një karriere disavjeçare në Prokurorinë e Tiranës, ish-prokurori i dosjes "Hajdari" u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme.

Haxhi Giu qëndroi me detyrë në organin qendror të akuzës për disa vite, duke mbajtur funksione e detyra të ndryshme. Për një periudhë kohe ai punoi si drejtor i hetimit dhe më pas kaloi prokuror i thjeshtë në këtë drejtori.

Gjatë detyrës në Prokurorinë e Përgjithshme Haxhi Giu mori edhe kërcënime, të cilat i lidhi me punën e tij. Ai pati denoncuar gjetjen pranë derës së banesës së tij të disa plumbave. Pas detyrës në sektorin e hetimit, Haxhi Giu sektor por mbeti përsëri në Prokurorinë e Përgjithshme derisa Theodhori Sollaku u largua nga detyra.

Pas marrjes së drejtimit të prokurorisë nga Ina Rama, Haxhi Giu ishte nga ata prokurorë "të brezit të vjetër" që "u internua" në rrethe. Në të njëjtën kohë me 13 kolegë të tjerë, Haxhiu Giu u largua nga Prokuroria e Përgjithshme.

Me propozim të kryeprokurores Ina Rama, presidenti i kohës, Bamir Topi, dekretoi transferimin e Haxhi Giut si prokuror i thjeshtë në Krujë. Që prej fundit të janarit 2008 deri dje, prokurori Haxhi Giu ka punuar në Krujë, krejt i tërhequr nga jeta publike.

TRAZHGIM SOKOLAJ