Kuvendi është përfshirë ditën e djeshme nga një debat i ashpër për projektligjin mbi përgjimet. Deputetët e opozitës, krahas oponencës së tyre kundër këtij projektligji, duke e cilësuar si shkelës të të drejtave të njeriut, ngritën zërin edhe mbi procedurën e miratimit të tij, duke e cilësuar si antikushtetues. Opozitarët u shprehën se në Komisionin Parlamentar të Sigurisë nuk është votuar dhe diskutuar projektligji nen për nen, çka nuk duhet të ishte në sallën e Kuvendit për t’u miratuar. Deputetët e opozitës u shprehën të habitur mbi procedurën e përshpejtuar që po merr miratimi i këtij projektligji, kur ndërkohë po funksionon edhe një komisionin hetimor për të verifikuar nëse ka pasur përgjime telefonike të deputetëve të Kuvendit. Oponenca e deputetëve opozitarë bëri që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe vendosi që këto ndryshime të shqyrtohen edhe nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve. “Ky draft, që ka sjellë shumë debate në komision, nuk është një ligj i zakonshëm, pasi ai prek drejtpërdrejt liritë dhe të drejtat e njerëzve të thjeshtë dhe me këtë mund të abuzohet”, - tha deputeti socialist, Petro Koçi. Nga ana tjetër, deputetin Koçi e kundërshtoi ministri Sokol Olldashi. “Së pari, projektligji nuk zgjeron gamën e institucioneve që kanë të drejtë të kërkojnë përgjime, duke ruajtur të njëjtin numër institucionesh që e kanë këtë të drejtë, sipas ligjit të vitit 2003. Së dyti, ai nuk prek në asnjë rrethanë procedurën se si kërkohet një përgjim telekomunikimesh dhe ruan të njëjtën procedurë që është e konsoliduar në praktikë e që vjen nga ligji i vitit 2003. Së treti, ai nuk prek asnjë nga garancitë ligjore, që siguron që përgjimet e telekomunikimeve të jenë në përputhje me ligjin dhe në mënyrë rigorozisht të kontrollueshme”, - tha Olldashi.

29 Shkurt 2008