Pistat hetimore po fokusohen tek aktiviteti i tij i biznesit, brenda dhe jashtë vendit


Forca te policise, kqyrur vendin e ngjarjes ku ka mbetur i vrare drejtori i bankes Credins, Artan Santo

Vrasja e Artan Santos (1)

Vrasja e Artan Santos (2)


Një grup hetimor i Prokurorisë së Tiranës është ngritur menjëherë pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo, paraditen e së enjtes në zonën e Bllokut. Në vendin e ngjarjes, krahas oficerëve të policisë gjyqësore, shkuan edhe dy prokurorë, përkatësisht zëvendësprokurori i Tiranës, Arben Nela, dhe prokurori Dritan Nushi, të cilët kanë asistuar në mbledhjen e provave, ndërsa më pas kanë vazhduar me dhënien e urdhrave të përgjimit, apo edhe të vëzhgimeve e kontrolleve për të gjithë të dyshuarit. Gjatë gjithë ditës, ky grup hetimor, i cili është zgjeruar edhe me oficerë të tjerë, ka mbledhur më shumë fakte për pistat hetimore, konfliktet e mundshme të Santos, në aktivitetet e biznesit ku bënte pjesë. Akuza thotë se janë verifikuar një sërë provash të marra nga bizneset që punonte dhe drejtonte Santo, si banka private apo kompanitë e tjera, për të mësuar më shumë mbi ndonjë konflikt, apo ndonjë kërcënim që ka marrë. Hetuesit deklarojnë se në fokus do të jenë edhe disa çështje që janë në prokurori, apo polici, ku emri i Artan Santos, apo i bizneseve që drejtonte, janë përmendur në çështje penale. Megjithatë, deri dje në darkë, akuza tha se nuk ka prova për një pistë të mundshme, megjithëse më kryesorja është ajo e konflikteve gjatë detyrës. Në pyetje janë marrë një sërë personash, bashkëpunëtorë dhe familjarë të afërt të tij, për të mësuar më shumë mbi punën e tij të përditshme, ku fokusin më të madh e kishte te banka Credins. Pikërisht për këtë detyrë, nisur edhe nga vendi i vrasjes, akuza ka fokusuar hetimet, për të mësuar mbi firmat e fundit që kishte hedhur Santo para se të ekzekutohej në mënyrë demonstrative para zyrës së tij.



Akuza qendrore


Bashkëpunimi – Prokuroria po punon me intensitet të lartë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për të zbuluar autorët dhe qëllimin e ngjarjes së rëndë, në të cilën është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Santo, biznesmen dhe figurë e njohur publike në fushën e financës dhe medias


Urdhri i Llallës – Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, urdhëroi Prokurorinë e Tiranës për të ngritur një grup të posaçëm. Ky grup hetimor po koordinohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe në dispozicion ka edhe logjistikën speciale të institucionit të Prokurorisë


Dosjet në prokurori


Në disa çështje në prokurori, emri i kësaj banke ka dalë dytësor, ku individë që hetohen kanë deklaruar se kanë transferuar kapitale jashtë vendit, apo kanë kryer edhe blerje shoqërish



Prokuroria e PergjithshmeHetuesit kanë pyetur disa bashkëpunëtorë të Santos për vendimmarrjet e fundit, ndërsa kanë marrë edhe disa shkresa, apo indicie se ku mund të fokusohen hetimet e mëvonshme, në përpjekje për të mësuar më shumë mbi konfliktet, që do të çonin tek ideatorët apo organizatorët e kësaj vrasjeje, pasi për identifikimin e ekzekutorëve po merret policia. Gjatë veprimeve të para hetimore, akuza thotë se ka mësuar mbi disa ndërmjetësime dhe vendime të Santos të marra javët apo muajt e fundit, në detyrën e drejtorit të përgjithshëm. Në fokus të hetimeve do të jenë paditë e bizneseve të ndryshme apo individëve në gjykatë ndaj kësaj banke, të cilët pretendonin për vendimmarrje të gabuar të Santos, apo të kësaj banke, për të bllokuar aktivitetin, si pasojë e mosshlyerjes së kredisë, apo penaliteteve të tjera të vendosura nga banka e nivelit të dytë. Akuza thotë se në fokus do të jenë edhe ndërmjetësimet e Santos mes biznesmenëve që mund të kishin konflikte me njëri-tjetrin, ndërsa kishin lënë edhe kolaterale në këtë bankë, nëse nuk shlyhej kredia. Bëhet fjalë për kredi miliona euro, të cilat kanë pasur probleme. Hetimet do të përqendrohen – thonë burimet nga akuza – edhe te ndonjë transaksion i majmë bankar jashtë vendit, nga shoqëri apo individ i veçantë, që mund të ishte edhe objekt hetimesh nga prokuroria. Në disa çështje në prokurori, emri i kësaj banke ka dalë dytësor, ku individë që hetohen kanë deklaruar se kanë transferuar kapitale jashtë vendit, apo kanë kryer edhe blerje shoqërish.


Grupi hetimor ka punuar gjatë gjithë pasdites së djeshme, për të verifikuar çdo pistë të mundshme, ku një rëndësi i është dhënë edhe çështjes së kompanisë ARMO, e cila ishte lënë kolateral për një kredi të marrë në këtë bankë. Pas mosshlyerjes së kredisë, banka nxori një urdhër sekuestrimi dhe më pas vendosi administratorë për këtë kompani, por në lojë ishin miliona euro për blerjen apo shitjen e kësaj kompanie. Akuza thotë vetëm se po shikon të gjithë veprimtarinë e Santos, për të parë se ku mund të ketë konflikte të mundshme dhe një ndër to, megjithëse jo kryesore, është edhe kompania e përpunimit të naftës bruto, e cila pësoi ndryshime radikale muaj më parë, ku në krye ka ardhur një firmë azerbajxhanase.


Kjo vendimmarrje nuk do të jetë e vetme që do të verifikohet nga grupi i hetimit, i cili do të marrë në pyetje familjarët e viktimës, apo edhe bashkëpunëtorët e tij, për të mësuar më shumë mbi urdhëruesin e këtij atentati demonstrativ. Akuza thotë se, duke parë se ai u vra para bankës ku ishte drejtor i përgjithshëm, hetimet po përqendrohen pikërisht te kjo detyrë, megjithëse deri dje në mbrëmje asnjë pistë nuk është përjashtuar.


Ky shkrim Prokuroria, hetim ndërmjetësimeve të Santos u publikua me pare te Gazeta SHQIP.