Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Njësia Task-force pranë Prokurorisë së Tiranës, ka futur në dorë dokumentacionin e dhënies me qira të një pjese të konsiderueshme të Spitalit Ushtarak. Pas kallëzimit të bërë nga mjekët e spitalit, organi i akuzës është duke hetuar për një tjetër abuzim, i cili mendohet se mund t i ketë rrënjët sërish në institucione shtetërore. Zbatimi i vendimit të qeverisë nr. 729 datë 18 tetor 2006, që i jep kompanisë turke “Univers-Alb” sipërfaqen prej 15 mijë e 638 metër katrorë ambiente si dhe shkeljet e dyshuara që mund të ketë kjo kontratë, po verifikohen me imtësi nga organi i akuzës në një hetim të nisur pak muaj më parë. Çështja e shumëdebatueshme, që ngjalli reagimin e ashpër të mjekëve të këtij spitali, sipas prokurorisë, shumë shpejt do të marrë një zgjidhje, pasi aktualisht janë angazhuar disa ekspertë, që po kryejnë veprimet e nevojshme në terren. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se hetimet për dhënien me qira të sipërfaqes prej 15 mijë metër katrorë në ambientet e Spitalit Ushtarak nisën pas një kallëzimi penal, të bërë nga një prej mjekëve të këtij spitali, i cili pretendonte se ka shkelje në kontratën mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë turke.

Kallëzimi

Kallëzuesi ngriti pretendimin, se kompania që ka marrë me qira për 20 vjet ambientet e Spitalit Ushtarak po shfrytëzon një sipërfaqe më të madhe nga sa parashikon Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili gjithashtu është në kundërshtim me një udhëzim të Ministrisë së Financave, që parashikon dhënien me qira pa konkurrim të jo më shumë se 200 metrave katrorë. Veç ambienteve të brendshme, mjeku ka pretenduar se kompania turke ka marrë edhe depon farmaceutike që ndodhet në hyrje të spitalit, objekt ky që nuk parashikohet në kontratë. Menjëherë pas kallëzimit, prokuroria kreu veprimet e para, ndërsa tashmë ka angazhuar një grup ekspertësh, që po kryejnë matjet në terren. Objekti kryesor i punës së ekspertëve është përllogaritja e saktë e ambienteve që përdor kompania “Univers-Alb” dhe vendet në të cilat ajo ushtron veprimtarinë, për të parë nëse është duke zbatuar me korrektësi vendimin e qeverisë dhe kontratën që ka me Ministrinë e Mbrojtjes, pasi Spitali Ushtarak është në varësi të këtij dikasteri.

Hetimi

Rezultatet e ekspertimit, sipas organit të akuzës pritet të nxirren brenda pak kohe dhe më pas do të merret një vendim përfundimtar për çështjen. Në vazhdën e hetimeve, pak ditë më parë prokuroria mori në pyetje një prej mjekëve të Spitalit Ushtarak, i cili sqaroi para hetueses së çështjes të gjitha hapat ligjorë që janë ndjekur për dhënien me qira të sipërfaqes prej 15 mijë e 638 metra katrorë, ku do të ushtrojë veprimtarinë për 20 vitet e ardhshme ai që sot njihet si spitali turk. Gjatë dëshmisë së tij, mjeku i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe farmacisë që është marrë nga kompania turke, e cila, sipas kallëzuesit, nuk parashikohej në kontratë. Organi i akuzës konfirmon se deri tani janë marrë dëshmitë e shumë personave që lidhen me çështjen, ndërsa është ende në proces pune ekspertiza mbi të cilën do të merret dhe vendimi përfundimtar.





Ky lajm është publikuar: 24/04/2009