Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, po përballet me thirrje të freskëta për të dhënë dorëheqjen pasi qeveria e tij po përballet me një skandal të gjerë të korrupsionit , i cili ka ekspozuar ndarje të thella institucionale të vendit.


Qindra njerëz anembanë Turqisë morën pjesë në demonstrata kundër qeverisë. Protestat u mbajtën në Stamboll dhe disa qytete të tjera.


Ndërkohë një prokuror i cili drejtonte hetimet, thotë se e kanë hequr nga çështja në fjalë dhe se policia nuk ka pranuar të zbatojë urdhërat e tij për arrestimin e personave të dyshuar.


Muamer Akkas tha se gjyqësori iu nënshtrua presionit të hapur si nga zyra e prokurorit të përgjithshëm ashtu edhe nga policia gjyqësore, ndërsa ekzekutimi i vendimeve të gjykatës u pengua.


Në hetim janë përfshirë ish politikanë të lartë dhe biznesmenë, duke çuar në një riorganizim të kabinetit të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan pas dorëheqjes së tre Ministrave këtë javë..


Por kryeprokurori publik i Turqisë, Turan Çola-kadi, e hodhi poshtë akuzën e Akkas, duke thënë se Prokurorët nuk ishin të autorizuar për të hapur hetime.


Ai tha se Akkas u hoq nga çështja, sepse ai kishte keqpërdorur proçedurën dhe kishte nxjerrë informacione për median. Shkarkimi i Akkas vjen një ditë pasi ai urdhëroi arrestimin e 30 të dyshuarve të tjerë, ku përfshiheshin deputetë të partisë në pushtet dhe biznesmenë.


Megjithë riorganizimin e kabinetit dhe dorëheqjet, Erdogan mbetet sfidues. Ai thotë se akuzat për ryshfete po nxiten nga një intrigë e errët ndërkombëtare që ka lidhje me qarqet e larta të policisë dhe të gjyqësorit turk.


Skandali i tanishëm paraqet kërcënimin më serioz deri tani ndaj pushtetit të zotit Erdogan. Imazhi i tij është dëmtuar tashmë.