Për shkak të kushteve të punës në Pallatin e Drejtësisë, të cilat po e dëmtojnë shëndetin, sot është organizuar një protestë dyorëshe me ndërprerjen e punës, nga ora 13:00 deri në orën 15:00.

Njoftimin për media e ka dhënë Sindikata e Judikaturës e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila vendimin për ndërprerjen e punës e kishte marrë më 25.03.2016 për shkak të kushteve të këqija të punës në Pallatin e Drejtësisë, përkatësisht mungesës së oksigjenit, ku për pasojë disa punëtorë kanë pasur probleme shëndetësore.

Sipas njoftimit, punonjësit e kësaj gjykate duke filluar që nga sot, më datë 29.03.2016, në shenjë proteste do të ndërprerjenë punën nga dy orë në ditë, prej orës 13 deri në orën 15. Kjo formë e protestës do të vazhdojë deri në riparimin e sistemit të ajrosjes në këtë objekt.

Nëse organet kompetente nuk marrin masa për plotësimin e kësaj kërkese, punonjësit paralajmërojnë ndërprerje totale të punën në ndërtesë. Protestës i janë bashkuar edhe institucionet e tjera të akomoduara në Pallatin e Drejtësisë, si Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit, Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore.