Nga Express më 20 prill 2011 në ora 19:48

Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar të mërkurën kundër transferimit të tetë programeve të këtij Fakulteti në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.



Programet, të cilat janë transferuar në FSHMN, janë: programi Fizikë-Kimi, Biologji-Kimi, Teknologji-Informatikë, Matematikë-Informatikë, Gjuhë shqipe dhe Gjuhë Angleze, Histori-Edukatë Qytetare si dhe Gjeografi - Edukatë Qytetare.



Me pankarta në duar, në të cilat shpreheshin pakënaqësitë për bartjen e programeve studentë të Fakultetit të Edukimit dega në Prishtinë, Gjilan e Gjakovë, studentët protestuan para rektoratit të UP-së, duke bërë thirrje që të mos bëhet padrejtësi ndaj tyre. Kryetari i Këshillit organizativ të kësaj proteste, Petrit Dërguti tha se studentët kërkojnë të mos mbyllen këto programe, sepse siç theksoi ai, fakulteti i tyre ka nevojë më shumë për hapje, se sa për mbyllje të tyre.



Ai duke theksuar padrejtësitë dhe parregullsitë që po e përcjellin Universitetin e Prishtinës, tha se mbyllja e programeve në Fakultetin e Edukimit është në interesin e disa njerëzve relevant punonjës dhe ish-punonjës të Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit, pasi që ata sipas tij dëshirojnë t`ia rrisin imazhin Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore prej nga vijnë edhe vet.



Dërguti më tutje ka thënë se ka shumë studentë të cilët dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin e Edukimit dhe atyre po u privohet kjo e drejtë, ndërsa sipas tij në Universitetin e Prizrenit ka më pak profesorë, të rregullt dhe është akredituar. Për më tepër Fakulteti i Edukimit me degët e tij në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë numëron rreth 11 mijë studentë.



Studentët protestues do të vazhdojnë përsëri me protesta dhe bojkotim të mësimit në rast se kërkesat e tyre nuk realizohen.