17-08-2012 / (CNN)

Koha ishte duke mbaruar për Julian Assange-in. Ai duhet të bënte një lëvizje të shpejtë. Vetëm disa ditë më parë Assange kishte dështuar të bindte Gjykatën e Lartë britanike që të ndalte ekstradimin e tij në Suedi, ku do të pyetej rreth akuzave për sulm seksual.  Edhe pse akuzat për krim seksual nuk kanë të bëjnë me WikiLeaks-in, disa nga përkrahësit e tij besojnë se nëse Assange dërgohet në Suedi, ai do të jetë më vulnerabil për t’u ekstraduar në Shtete e Bashkuara të Amerikës. 
WikiLeaks ka publikuar një mori me dokumente sekrete, të cilat kanë kompromentuar sigurinë e qytetarëve dhe të interesave gjeo-strategjike të SHBA-së në botë.  Por, në cilin shtet të planetit duhet Assange të gjente shpëtim? Ai zgjodhi Ekuadorin, i cili ka pranuar kërkesën e tij për azil politik. "Është një lëvizje shumë e zgjuar azili atje. Presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, dhe Assange kanë interesa të përbashkëta - ata të dy mbështesin idenë se SHBA është një fuqi perandorake që duhet të kontrollohet", thotë Robert Amsterdam, një avokat kanadez ndërkombëtar që ka shqyrtuar çështje të profilit të lartë në Amerikën Latine, Rusi dhe Tajlandë. Correa, një ekonomist i krahut të majtë, zotohet vazhdimisht kundër Shteteve të Bashkuara në bashkëpunim me aleatët në rajon dhe gjetkë - Hugo Chavezin e Venezuelës, Evo Moralesin e Bolivisë, Fidel Kastron e Kubës dhe Mahmoud Ahmadinexhadin e Iranit.
Me pranimin e Assange-it në vendin e tij, Ekuadori ka acaruar shumë Britaninë e Madhe, por Correa-s nuk shqetësohet. Në shkurt, ai ka bërë thirrje për sanksione kundër Britanisë lidhur me konfliktin e saj me Argjentinën mbi ishujt Falkland. 
"Nga një perspektivë Latine, është një gjë e lavdishme t’i japësh azil Assang-it”, nënvizon Amsterdam. "Nuk është e thënë se duhet te jesh anti-amerikan për të bërë një gjë të tille. Kur shkoj në Guatemalë, ata ende e quajnë SHBA-në “perandori”. Ekziston pothuajse një armiqësi universale ndaj politikës së jashtme amerikane. Assange do të ishte i mirëpritur në shumë vende”. Jorge Leon, një analist politik ekuadoras që jeton në Kuito, tha se me zgjedhjet presidenciale në Ekuador të planifikuara shkurtin e ardhshëm, dhënia e azilit për Assange-in do të jetë “e dobishme për t’i dhënë Correas një imazh të majtë”. "Shumica e bazës së tij është e majtë", tha Leon, dhe "ai duhet ta ushqejë këtë bazë”.

...