Shqipëria ka hyrë në vitin 2019, e kapluar nga tensioni politik dhe me shpresën që përplasja mes qeverisë dhe opozitës nuk do të ndikojë në vendimin e qershorit për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit në BE.


Me opozitën që po shkon drejt protestave popullore për rrëzimin e Edi Ramës dhe qeverinë që I qëndron stohike bindjeve të saj dhe ndërkombëtarët që trokasin në çdo seli me dosjen e reformës zgjedhore në dorë, vendi duket në një udhëkryq dhe për të komentuar situatën në fjalë në Open është ftuar kreu i Grupit të PS, Taulant Balla.


Që në nisje Balla është ngacmuar nga moderatorja Eni Vasili për qeverinë Rama3 dhe faktin se ai ngeli jashtë këtij kabineti.


Vasili e pyeti Ballën si e përjetoi ai momentin kur emri i tij nuk u thirr nga Rama në Asamblenë Kombëtare, por ai i Braçes u dëgjua dhe deputeti i Divjakës u bë zv/ministër.


Balla u përgjigj duke thënë se nuk është xheloz për Braçen dhe se ai nuk mund të bëhet ministër pasi nuk ia lejon statuti i PS-së.


Së pari jam shumë I gëzuar për Braçen, ndërkohë që Babaramo dhe Anila mund tiu shpejgojnë që Sekretarit të Përgjithshëm të PS nuk i lejohet të jetë në qeveri. Kështu që unë kam zgjedhur të jemë numri 2 i PS-së, u shpreh kreu i Grupit të PS.


Por, gazetarja Anila Basha hapi një temë diskutimi nëse statuti i PS, i ndalon apo jo vendosjen e emrave të rinj në kabinetin qeverisës, të cilët nuk janë anëtarë të kësaj partie.


Kreu 8 i statusit të PS titullohet Përfaqësuesit e partisë në organet e qeverisjes qendrore, e në vijim neni 60 thotë: Përfaqësuesit e partisë në degën ekzekutive të qeverisjes.


Kjo pikë e Statusit është lexuar nga Anila Basha si një detyrim që ministrat apo zv/ministrat të jenë pjesë e PS për të qenë pjesë e kabinetit.


Por për Taulant Ballën, Anila Basha e ka keqkuptuar nenin 60, pasi Statuti i PS nuk e specifikon që një person të jetë anëtar i PS për të qenë ministër.