Para pak kohësh, dy inspektorë të zyrës së Tatim-Taksave, Petrika Bardhi dhe Bujar Qoshja, trokitën në derën e redaksisë së gazetës “Albania” për një kontroll tatimor.

Redaksia e “Albania”-s, me shumë mirësjellje, iu japi dyert duke iu krijuar të gjitha kushtet dhe hapësirat që inspektorët të bënin punën e tyre. Dhe kështu ndodhi. Pas kontrollit, Zyra e Tatim-Taksave përpiloi raportin përfundimtar duke i dorëzuar, sipas ligjit, një kopje edhe gazetës “Albania”.

Deri këtu gjithçka shkoi normalisht.

Për shkeljet e konstatuara gazeta mori gjobën përkatëse duke e njohur plotësisht atë.

Por,... pikërisht këtu fillon e çuditshmja.

Një muaj më pas, inspektorët që kryen kontrollin u paditën dhe u dënuan nga një komision disiplinor për MOSTHELLIM gjatë kontrollit në gazetë.

Në Shqipëri gazetat nuk janë objekt TVSH-je dhe, kuptohet sa i thjeshtë është një kontroll mbi një subjekt të tillë.

Por, inspektorët u dënuan pasi nuk ishin thelluar dhe në dyert Gazetës “Albania” është dyndur një tjetër inspektor me urdhër të ri kontrolli për rikontroll. Quhet Sefedin Muça.

Kuptohet thjesht, me këtë veprim, në këto kushte, pse vjen ky rikontroll dhe ç’mision do të realizojë, pas dënimit të dy të parëve.

Në këto kushte, gazeta “Albania” njofton sot mbylljen e saj.

Redaksia e gazetës falënderon lexuesit e saj për interesin e treguar në këto 15 vjet të jetës së saj. Njëkohësisht i kërkon këtij lexuesi falje dhe ndjesë për shqetësimin dhe zhgënjimin që hera-herës i ka sjellë.



Redaksia e gazetës “Albania”





25 Janar 2011