Mbërrin në ekranin e madh “Public Enemies”, filmi që tregon jetën e jashtëzakonshme të hajdutit të bankave, John Dillinger. Një hajdut “i mirë”, gangsteri simbol i Depresionit të Madh Amerikan që jetoi mes viteve 1903 dhel 1934. Dillinger digjte regjistrat e borxheve në cdo bankë që vidhte duke u bërë kështu një bamirës i vërtetë i njerëzve të varfër. Një Robin Hood në miniaturë, i kërkuar nga një agjent që e shpalli armikun Numër një të Popullit; “Wanted: dead or alive‘. Filmi që ka për aktorë protagonistë Johnny Depp, Christian Bale, Marion Cotillard dhe Channing Tatum do të fillojë të shfaqet në kinema Milenium, nga mbrëmja e 1 tetorit me katër seanca në ditë për shkak të gjatësisë së tij prej 2 orësh e 23 minutash. Gangsteri simbol i Depresionit të Madh Askush nuk mund të ndalonte John Dillinger dhe bandën e tij. Nuk kishte burg nga ku të mos arratisej. Nuri i tij dhe arratisjet e pabesueshme nga burgjet e bënë akoma më interesant në sytë e të gjithëve – duke filluar nga e dashura e tij Billie Frechette e deri tek publiku amerikan, i cili nuk kishte aspak simpati për bankat por i shikonte ato si përgjegjëse për futjen e vendit në depresion. Kritiku Roger Ebert është shprehur në lidhje me këtë film se: “Kjo performancë e Johnny Depp është dicka ndryshe. Për të parën herë një aktor që luan një gangster nuk e bazon performancën e tij në filmat që ka parë. Ai fillon i ftohtë dhe e luan rolin e Dillinger si një fakt.”