Nuk ka Deklaratë Pavarësie të firmosur në Durrës nga Ismail Qemali". Ky ka qenë reagimi i historianëve Arben Puto dhe Pëllumb Xhufi për "Gazeta Shqiptare", pas fjalimit që kryeministri Berisha mbajti dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Shefi i ekzekutivit, ndërsa foli për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, tha se një historian i ka sjellë një dokument jashtëzakonisht interesant. "Më sjell Deklaratën e Pavarësisë, të firmosur nga Ismail Qemali në Durrës. Pse kjo deklaratë?! Ai po udhëtonte për në Vlorë, por e la këtë dokument, se po t'i bënin prita, po ta asgjësonin, të kishte shpallur pavarësinë, sepse rruga për në Vlorë ishte plot rreziqe, por nuk u ndal, eci drejt Vlorës dhe atje e mblodhi asamblenë; por ai ishte maratonomaku i Pavarësisë, ai ishte themeluesi", deklaroi kryeministri. Por kundër tij, kanë dalë dje dy historianë të njohur, që mohojnë ekzistencën e një dokumenti të tillë. Përkundër asaj që dihet, se shumë qytete shqiptare në nëntorin e 1912-ës e kanë ngritur flamurin para datës 28, deri më tani, sipas Putos e Xhufit nuk është përmendur asnjëherë që një Deklaratë Pavarësie të jetë firmosur nga Ismail Qemali, që në Durrës, kur ai ishte në rrugën drejt Vlorës. Për Arben Puton, Deklaratë Pavarësie ka vetëm një dhe ajo është firmosur në Vlorë; ndërsa Pëllumb Xhufi vëren se "nuk di se ç'qe ajo kartë me ato vula e firma në osmanishte, që i ofroi kryeministrit 'zbuluesi' durrsak. Dyshoj se janë ndonjë akt i fundit i administratës osmane, një dokument doganor, ndonjë urdhër-arresti për Ismail Qemalin e shokët e tij, a ku ta di unë, por asesi një akt pavarësie".

REAGIMET
Duke mos qenë në dijeni të një deklarate firmosur në Durrës, i drejtohemi Arben Putos. Historian i njohur dhe autor i një sërë librash, ai habitet nga pyetja. "Unë nuk kam dijeni për një dokument të tillë. Ismail Qemali, para se të shkonte në Vlorë ka ndaluar në Durrës, por nuk ka firmosur ndonjë deklaratë. Të mos ngatërrojmë gjestet e manifestimet me deklarata pavarësie", - thotë Puto. Sipas tij, Ismail Qemali mund të ketë kërkuar që të bëhen manifestime në mbështetje të pavarësisë, por do të ishte një akt i izoluar. "Deklaratë Pavarësie ka vetëm një dhe është ajo që është firmosur në Vlorë, sepse atje kishte delegatë, atje u mblodh asambleja. Në Vlorë erdhi Isa Boletini, atje e shkroi Deklaratën e Pavarësisë Luigj Gurakuqi dhe e nënshkruan delegatët. Firmat u vunë në Vlorë dhe nuk ishte vetëm firma e Ismail Qemalit", - thotë Puto me vendosmëri. Duke e konsideruar të papranueshme atë që tha kryeministri dje, Puto pyet: "Unë nuk e kuptoj se çfarë fshihet pas kësaj, mos po kërkohet të anashkalohet Vlora? Unë këtë, që pavarësia është nënshkruar në Durrës e dëgjoj për herë të parë. Cili historian ia ka çuar dokumentin kryeministrit? Ku e ka marrë historiani? Në çfarë arkivi?". Madje ai nuk ngurron të thotë edhe se "e vë shumë në dyshim këtë deklaratë dhe nuk mund të quhet Deklaratë Pavarësie, sepse e tillë është vetëm ajo e Vlorës. Ndërsa pyet se me kë e firmosi Ismail Qemali dhe ku, Puto shprehet i bindur se "është vetëm spekulim. Komunikova edhe me Kristo Frashërin, i cili po ashtu si unë mendon, se nuk ka një deklaratë të tillë. E theksoj, deklaratë quhet vetëm ajo e Vlorës, ku ishin delegatët nga të gjitha trevat shqiptare dhe vunë firmat e tyre në të. Kjo që është thënë nuk është serioze, është jashtë logjike". Nga ana tjetër, ai sugjeron që kush ka paqartësi, le të lexojë kujtimet e vetë Ismail Qemalit, në faqet 417-418, ku rrëfen vizitën në Durrës. "Do të shohësh se në këtë qytet nuk kishte as situatë festive. Krejt e kundërta ishte në Vlorë", - përfundon ai.

I të njëjtit mendim, ndonëse ndoca më i ashpër, është edhe profesor Pëllumb Xhufi. I pyetur nëse ka dijeni për një Deklaratë Pavarësie të firmosur në Durrës në nëntorin e 1912-ës, siç u shpreh kryeministri Berisha dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Xhufi thotë: "Pashë një nga ato shfaqjet e zakonshme me klounë, ku z. Berisha mbledh andej-këndej dhe anuncon 'dëshmitë' e historisë që po shkruan vetë. Nuk di se ç'qe ajo kartë me ato vula e firma në osmanishte, që i ofroi kryeministrit 'zbuluesi' durr-sak. Dyshoj se janë ndonjë akt i fundit i administratës osmane, një dokument doganor, ndonjë urdhërarresti për Ismail Qemalin e shokët e tij, a ku ta di unë. Por, asesi një akt pavarësie". Sipas Xhufit, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, etj., e kishin vendosur që në nisje se shpallja do të bëhej në Vlorë, e vetëm në Vlorë. 

Për sa më sipër ai vëren se Durrësi ishte i pasigurt, për shkak të avancimit të shpejtë të pushtuesve serbë. "Ishte i pasigurt, edhe pse gëlonte nga agjenturat e huaja, greke, serbo-malazeze, të organizuara rreth mitropolitit antishqiptar Jakov dhe 'durrsakëve' të natyralizuar, Gjurashkoviqëve, të cilët më vonë, vetë Zogu i demaskoi si agjentë të Serbisë", -sqaron historiani. Por veç kësaj, Xhufi na kujton se Durrësi, ishte i pasigurt edhe për praninë e madhe të ushtarakëve osmanë, që evakuoheshin prej andej nga gjithë fronti ballkanik. E ndërsa mohon kategorikisht që të ketë një deklaratë të tillë, si pretendoi dje kryeministri, ai bënë një analogji mes ngjarjes historike dhe ditës së djeshme. "Kjo mizanskenë më kujton revanshin e haxhiqamilistëve, kur mbërritën në Vlorë, më 1914. Gjëja e parë që bënë ishte se ulën flamurin kuq e zi e ngritën gjysmëhënën, dogjën arkivin e qeverisë së Vlorës, dokumentet e shkruara në shqip, dhe shpallën si gjuhë zyrtare osmanishten. Nuk e di, por protagonistët e shfaqjes së djeshme më ngjanë me haxhiqamilistët e djeshëm", përfundoi profesor Pëllumb Xhufi.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)