Avokati i ka kërkuar dje prokurorisë që të zhvillojë një takim me klientin e tij në spitalin e burgut







TIRANË- Avokati i Dritan Dajtit, Arben Qeleshi, ka kërkuar dje leje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që të takojë klientin e tij. Ka qenë ora 10:30 minuta kur avokati Qeleshi me disa shkresa në duar ka hyrë brenda ambienteve të institucionit të akuzës, duke i dorëzuar ato në zyrën e protokollit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. I kontaktuar nga "Shekulli" avokat Qeleshi u shpreh se dorëzoi kërkesën për leje, që të takonte klientin e tij në ambientet e Spitalit të Burgut, ku po shërohet për tre plagët e marra gjatë shkëmbimit të zjarrit me agjentët e policisë pasditen e shtatë gushtit. "Shkova në Prokurori sot (dje) për të dorëzuar kërkesën time për leje që të takoj klientin tim Dritan Dajti në Spitalin e Burgut. Këtë kërkesë e dorëzova dhe pres tani përgjigjen zyrtare nga drejtuesit e këtij institucioni",- tha Qeleshi, duke shtuar se ka përsëritur sërish kërkesën për një mjekim më të specializuar për klientin e tij.





"Gjithashtu, kërkova nga zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që të krijojnë kushtet që klienti im Dritan Dajti të kryejë disa vizita të detyrueshme tashmë mjekësore për shkak të shëndetit të tij të keqësuar, në institucionet më të specializuara pasi Spitali i Burgut nuk i ofron këto kushte"- theksoi avokat Qeleshi, duke shtuar se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë për shkak të mos heqjes së predhave që ka në trup. Përveç këtyre kërkesave, avokat Qeleshi kërkoi nga institucioni i akuzës, që të lejojë prindërit dhe bashkëshorten e Dajtit që ta vizitojnë atë, pasi janë të shqetësuar për gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë, këto kërkesa, sipas zyrtarëve të Prokurorisë, priten të shqyrtohen gjatë javës që vjen dhe t'i jepet drejtim. F.Vezaj