Avokati i të arrestuarit kërkon leje për vizitë mjekësore të specializuar dhe caktimin e datës për marrjen e tij në pyetje





TIRANË- Mbrojtësi ligjor i "vrasësit" të katër agjentëve të policisë, avokat Arben Qeleshi, kërkon ekzaminimin e hollësishëm mjekësor të kokës së Dritan Dajtit, pasi ditën e arrestimit pretendon se është qëlluar me shqelma dhe grusht nga efektivët blu të Policisë, të cilët i kanë shkaktuar dëmtime. Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët konfirmuan se avokat Qeleshi me ndihmën e bashkëshortes së Dritan Dajtit, shtetases Dorela (Xhoxhi) Dajti, ka depozituar një kërkesë që mban firmën e tij dhe të saj, ku kërkon një ekzaminim të hollësishëm mjekësore ndaj të arrestuarit me tre plumba. Ndërkohë që Qeleshi ka kërkuar nga prokuroria që të caktohet edhe data e marrjes në pyetje e Dritan Dajtit, i cili ndodhet i arrestuar që nga shtatë gushti por asnjë herë nuk është pyetur.



Sipas kërkesës së Qeleshit, Dajti ka pësuar shembje në kokë nga goditjet me shqelma e grushte nga agjentët e policisë në momentin e arrestimit, pak sekonda pasi Dajti kishte mundur të ekzekutojë katër agjentët e policisë dhe një nga miqtë e tij Ledion Mare. Në kërkesë, pretendohet se mjekët e Spitalit të Burgut nuk mund të kryejnë ekzaminimet dhe analizat e nevojshme për dëmtimet në kokë dhe për këtë arsye duhet zhvilluar një vizitë në klinikat private të specializuara ose në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në kryeqytet.



Avokatit Qeleshi ka pohuar në kërkesë se klienti i tij Dajti ka pësuar dëmtime serioze në kokë nga goditjet me shqelma e grushte të agjentëve të policisë, menjëherë pasi i kishin vënë prangat mesditën e shtatë gushtit në qytetin bregdetar të Durrësit. "Pasi mora akt-përfaqësimin si mbrojtës ligjor i shtetasit Dritan Dajti konstatova shqetësimin e familjes, se ky i fundit ka dëmtime në kokë nga goditjet që agjentët e policisë i kanë bërë pas arrestimit. Për të provuar këto pretendime, kërkoj nga institucioni i akuzës të më lejohet të takoj klientin tim dhe të marrin masa për krijimin e kushteve që Dritan Dajti t'i nënshtrohet një vizite mjekësore më të specializuar në kokë. Pasi, nga informacionet që kemi është konstatuar se ka dhimbje koke të vazhdueshme që nga dita e arrestimit, dhimbje kjo që i është shkaktuar nga të goditurat e policisë gjatë dhe pas arrestimit të tij",-thuhet në kërkesën e dorëzuar në prokurori.



Gjithashtu, avokat Qeleshi thekson faktin se Spitali i Burgut në kryeqytet nuk plotëson kushtet e kryerjes së një ekzaminimi të hollësishëm të kokës, prandaj kërkohet nga institucioni i akuzës që të krijojë kushtet e nevojshme që Dritan Dajti t'i nënshtrohet një ekzaminimi më të gjerë shëndetësor, duke kryer edhe skaner të kokës. Përveç këtyre, avokati Qeleshi kërkoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që të mundësojë dhe lejojë kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale në QSUT për t'ia hequr Dritan Dajtit plumbin që ende i ndodhet në legenin e këmbës së majtë para, plumb ky i marrë nga pistoletat e agjentëve të policisë mesditën e së premtes gjatë shkëmbimit të zjarrit në plazhin e Durrësit.



Gjithashtu, burimet pranë institucionit të akuzës, theksuan se avokat Qeleshi ka kërkuar nga organi i akuzës që të caktojë një datë për marrjen në pyetje të Dritan Dajtit në praninë e tij, për ngjarjen e shtatë gushtit 2009 në plazhin e Durrësit, ku në tentimin e agjentëve të policisë për arrestimin e tij pati shkëmbim zjarri ku mbetën të vrarë 4 agjentë policie dhe një nga shoqëruesit e të shumë kërkuarit, shtetasi Ledion Mare. Sipas prokurorisë, këto kërkesa priten të shqyrtohen në analizën e radhës që institucioni i akuzës do të bëjë për çështjen e "masakrës në plazh", ku si pasojë u vranë pesë persona dhe një u plagos. Këtij të fundit, sipas akuzës, ende nuk i dihet vendndodhja për ta marrë në pyetje.