TIRANE-Ndërsa Tirana i gëzohej rrë zimit të monumentit të Enver Hoxhës, pasditen e 20 shkurtit 1991, Qemal Lames, asokohe kryehetues, i bëhej një gjyq politik. Ishte vënë në shënjestër pse nuk e kishte mbrojtur shtatoren e diktatorit dhe pse i kishte liruar të arrestuarit për këtë faj. Debati do të fillonte rreth orës 18:00, i drejtuar nga Ramiz Alia, në prezencën e Xhelil Gjonit, Fehmi Abdiut e jo vetëm. 

Në meselenë e krijuar, me faj u bënë hetues, prokurorë, policë e drejtues të tyre, ndërsa nuk mbeten jashtë kuadrit as gazetarët. Atëkohë, Alfons Gurashi dhe Napolon Roshi u kritikuan për mënyrën se si e kishin dhënë njoftimin në televizion dhe në radio. 

Në librin e tij me kujtime "Kur shembeshin themelet", pjesë të të cilit "GSH" boton sot, Qemal Lame tregon prapaskenat e mbrëmjes së 20 shkurtit, qëndrimin e personazheve të sipërpërmendura, si edhe qëndrimin e vet. Botimi që mban siglën e "Onufrit", hidhet në treg të hënën dhe rrëfen shkërmoqjen përgjatë një viti të "perandorisë" komuniste pothuaj 50-vjeçare. Lame, ka qenë kryehetues i Shqipërisë në vitet 1981-1991.

GJYQI POLITIK TE MUZEU I ENVER HOXHËS
Gjyq para simpatizantëve militantë të Enver Hoxhës. Në orën 17.30 më kërkuan në telefon dhe më thanë se më kërkonte Xhelil Gjoni. Ndenja dhe pak dhe u nisa direkt për në zyrë. E kisha të qartë përse kërkohesha në atë situatë, kur në Pallatin e Kongreseve kërkohej dorëheqja e Ramiz Alisë. Duhej të gjendej një viktimë për të tërhequr vëmendjen në drejtim tjetër dhe për të shkarkuar përgjegjësinë e tij. Unë kisha urdhëruar lirimin nga ndalimi të personave të ndaluar për rrëzimin e monumentit të Enverit. Guximi im për zbatimin e ligjit dhe moskonsultimi me të, do të ndëshkohej. Sfida direkte, natyrshëm do të ndëshkohej. Heretiku do të gjykohej dhe dënohej. Unë duhej të vihesha në shënjestër, për të kënaqur të revoltuarit dhe për të spostuar vëmendjen nga Ramizi te Qemali.

Kur arrita në zyrë, më thanë se Xhelil Gjoni kishte marrë disa herë në telefon dhe më priste të shkoja sa më parë. Sapo hyra në zyrë, ra telefoni dhe ishte përsëri Xhelili.
- Qemali je?
- Po, - iu përgjigja.
- Të lutem, hajde se të kërkon shoku Ramiz, këtu te salla e takimeve në Pallatin e Kongreseve.
- Mirë, - i thashë. - Do të vij.
- Ndërkohë mori menjëherë Behari, shoqëruesi i parë i Ramizit, i cili kishte qenë edhe shoqëruesi i Enverit.
- Shoku Qemal, - tha. - Shoku Xhelil jua tha gabim vendin. Jemi te Muzeu "Enver Hoxha".
- E di, - i thashë. - E kuptova gabimin e Xhelilit. Aty do të vij.
- Behari më tha se kishte dërguar një makinë për të më marrë.
Xhelili më priste te dera kryesore e hyrjes për në muze.
Së bashku vajtëm në sallë. 

Salla ishte e mbushur me militantë partie, të ardhur si përfaqësues nga rrethet Tiranë, Shkodër, Elbasan, Librazhd, Pogradec e Korçë.
Në krye, në podium, qëndronin Ramizi, në krah Haxhi Lleshi. Xhelili vajti u ul në krah të tij. Nexhmija nuk kishte ardhur akoma. 

Sapo hyra në sallë, Ramizi tha:
- Hajde Qemal, se po më bëjnë gjyq mua, në vend që të ta bëjnë ty.
- Mua nuk ka përse të më bëjnë gjyq, - iu përgjigja direkt.
- Dëgjoni se çfarë thonë. Ma hedhin fajin mua, përse nuk arrestohen fajtorët për monumentin?! Fol ti, Qemal. Mos rri ashtu, si Shën Mëria.
- Ka ligj. Është zbatuar ligji. Dekreti për monumentet e kulturës dhe të figurave kombëtare duhej të zbatohej nga organet që kanë detyra të caktuara ligjore për t'i zbatuar.
- Cilat janë këto organe? 

- Ju e dini se cilët janë. E keni miratuar vetë dekretin. Policia ka detyrë të bëjë veprimet procedurale ligjore dhe i çon fajtorët drejtpërdrejt në gjykatë. 

- Jo, shoku Ramiz, - ndërhyri zëvendësministri për policinë. -Hetuesia ka përgjegjësi. Hetuesia nuk i çon të ndaluarit në gjyq. Policia ndalon dhe Hetuesia i liron. I kemi kapur me armë dhe i kanë liruar. Shoku Qemal ka përgjegjësi direkte...
- Ti, zoti zëvendësministër, duhet të mendohesh më shumë dhe të jesh i kujdesshëm kur flet. Policia me ty në krye dhe ministrin, kanë hapur fjalë për armë, por kjo nuk është e vërtetë. Janë plagosur fëmijë dhe ju heshtni. Policia ndalon, zbaton urdhrat. Është e vërtetë që Hetuesia liron. Por duhet të thuash të vërtetën se Hetuesia zbaton ligjin dhe liron ata që janë ndaluar padrejtësisht nga policia. 

Forcat e rendit, të armatosura dhe të blinduara, qëndruan në pasivitet. Dihej se do të veprohej për rrëzimin e monumentit, si edhe në rrethet e tjera. Nuk u morën masat parandaluese për të pasur situatën në kontroll. Ngjarja u zhvillua në sheshin qendror të kryeqytetit, pranë institucioneve qendrore të Partisë dhe shtetit, para syve të organeve të rendit dhe të popullit. Kuadrot më të rëndësishëm ishin në pritmëri. Situata mori karakterin luftarak. U qëllua me breshëri armësh nga tanket e gardës, për të penguar demonstruesit që donin të shkonin në drejtim të Komitetit Qendror. Ata u drejtuan nga sheshi qendror, për të rrëzuar monumentin. Kjo ishte bërë e ditur që më parë. Të gjitha shtabet dhe komandat ishin në gatishmëri numër një. Unë, si edhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore isha në zyrë. Forcat e rendit dhe populli shikonin se si po realizohej plani për rrëzimin e monumentit. Asnjë nuk reagoi. Vetëm pas rrëzimit të monumentit u dha urdhër për të qëlluar. Pas ngjarjes, lëvizën forcat speciale të policisë me qen në duar. Asnjeri nuk u lëndua. Asnjeri nuk u ndalua. Më vonë u morën persona nga rruga dhe u ndaluan. Dihet se nuk ka prova ndaj tyre. Përse kërkohet përgjegjësi për Hetuesinë? Faji nuk është te Hetuesia. Këtë e di mirë populli. Populli e ka përcaktuar drejt përgjegjësinë për ngjarjen...
- Ja, shokë të rretheve. E shikoni se si ua kalojnë përgjegjësinë organeve të tjera. Hetuesia flet për policinë, ndërsa policia për Hetuesinë. 

- Secili organ i ka detyrat të përcaktuara me ligj dhe nuk ka përse t'ia hedhë tjetrit, - e ndërpreva duke bërë sqarimin e nevojshëm ligjor. - Dekreti është ligj dhe ligji duhet të zbatohet. Kërkohet të veprohet sipas këtij ligji. Në rast se ligji nuk zbatohet drejt, atëherë, ai që vepron ndryshe, ka përgjegjësi.
- Po ti, Rrapi, - iu drejtua Rrapi Minos, i cili ishte ulur pranë meje. Përse nuk i arreston? Ç'thua për këtë që thotë Qemali?
- Sipas kërkesave të dekretit, shoku Ramiz, - u përgjigj Rrapi, - policia duhet të bëjë ndalimet e ta çojë vetë çështjen në gjykatë drejtpërdrejt.
- Ju duheni çuar në gjyq, - iu kërcënua me zë të lartë Ramizi. Ju i ngatërroni këto! Ti ke përgjegjësi që nuk vepron si prokuror. 

- Unë nuk kam asnjë përgjegjësi, - kundërshtoi direkt dhe i revoltuar Rrapi. - Nuk keni të drejtë të na e thoni këtë. Prokuroria nuk bën vetë arrestime.
- Ju. Ju keni përgjegjësi. Po gjykata, çfarë thotë, - vazhdoi pyetjet i shqetësuar Ramizi?
- Shoku Ramiz! - u përgjigj Fehmi Abdiu, i ardhur nga Gjykata e Lartë, në vend të Kleanthi Koçit, i cili nuk ndodhej në atë kohë në Tiranë. - Dekreti për monumentet e kulturës e të figurave kombëtare ngarkon policinë që të bëjë veprime dhe ta dërgojë çështjen drejtpërdrejt në gjykatë.
- Ohu! Edhe ti këto mendime paske! Jemi në situatë tjetër. Nuk jemi në situatë paqësore. Kërkohen veprime energjike, si në luftë. Këtë po kërkojnë rrethet. Këtë duan përfaqësuesit e tyre që janë këtu. 

- Mbledhja vazhdoi po në formën e gjyqit politik, të drejtuar sa nga vetë Ramizi, aq dhe nga përfaqësuesit më militantë të ardhur nga rrethet, të cilët ngriheshin vetë, sa herë donin dhe akuzonin me zë të lartë, kë donin.
- Ramizi e linte me qëllim situatën kaotike, duke marrë fjalën kur i interesonte. Mbështeste direkt dhe u jepte të drejtë, duke i motivuar për qëndrim ekstrem, ata që e kritikonin atë me emër për qëndrimin e tij jo transparent dhe menjëherë gjente shteg, për të dalë nga kritika ndaj tij, te përgjegjësia e të tjerëve. 

- U ngrit personi me emrin Vangjel Gulia, punëtor në Kombinatin e Autotraktorëve, në Tiranë, dhe tha:
- Unë nuk i di mirë punët e drejtësisë. Por u rrëzua monumenti i shokut Enver në kombinat dhe nuk erdhi njeri. Lajmëruam policinë dhe nuk erdhi. Drejtori lajmëroi hetuesinë e rrethit. Erdhi një nga hetuesia, por nuk bëri veprime. Unë marr 700 lekë rrogë. Nuk di sa marrin këta hetuesit. Më shumë duhet të marrin. Dihet se monumentin e rrëzoi kryetari i seksionit demokratik të Kombinatit me disa të tjerë. Dal unë dëshmitar, meqenëse nuk dalin dëshmitarë të tjerë.
- Ja! Çfarë doni më tepër ju të drejtësisë, - ndërhyri Ramizi.
- E mori fjalën një agronom nga Cërriku i Elbasanit. Foli për pakënaqësitë për rrëzimin e monumentit. Bëri edhe kritika për Hetuesinë, për ndërhyrje më të shpejta kundër krimeve. 

- E mori fjalën Filip Dede, drejtor i muzeut në Elbasan. Filipi kritikoi udhëheqjen e Komitetit Qendror të Partisë, për ndërhyrje dhe veprime më të shpejta për situatën.
Një oficer nga divizioni ushtarak, në Përmet, foli me shumë nostalgji:
- Kur ra monumenti, në Tiranë, sikur vdiqëm të gjithë, kur dëgjuam njoftimin. Si nuk pati disa që ta mbrojnë. Jemi gati të japim jetën për të vënë monumentin e ta ruajmë veprën e shokut Enver Hoxha.
U bënë vërejtje për njoftimin në televizion dhe në radio.
Ramizi porositi të lajmërojnë Alfons Gurashin dhe Napolon Roshin.
Xhelili doli menjëherë për t'i lajmëruar. 

Pas pak erdhën të dy. Pas tyre, hyri edhe Xhelili.
Alfonsi sqaroi dhënien e njoftimit të rrëzimit të monumentit.
Napoloni sqaroi njoftimin për radion e jashtme që kishte bërë.
U bënë menjëherë shumë kritika për Alfonsin dhe Napoleonin. Të dy u prekën nga reagimet e ashpra dhe fyerjet që iu bënë. 

Ramizi nuk u kërkoi përgjigje për pyetjet e shumta që u bënë. E ndërpreu mbledhjen, duke thënë bëjmë pak pushim.
Dihet se njoftimet bëheshin pasi ishin lexuar dhe ishte marrë më parë pëlqimi i vetë Ramizit. Ata nuk e thanë këtë fakt, për të sqaruar qëndrimin e tyre. Për të mos lënë kohë për këtë sqarim, Ramizi propozoi për pushim.
U bë pushim. Xhelili u takua me Alfons Gurashin dhe Napolon Roshin. Bisedoi me ta. Duket se i sqaroi për diçka. Isha rastësisht në afërsi të tyre. Pastaj, ata u larguan të dy. 

Mua më takoi Haxhi Lleshi. Ai u interesua për bahçevanin e tij që kishim marrë nën përgjegjësi penale, pasi kishte qëlluar me armë dhe kishte plagosur një djalë 18 vjeç, i cili donte të mbushte një bidon me ujë te çezmja e kopshtit të Haxhi Lleshit.
Haxhiu insistonte, duke argumentuar se:
- Bahçevani është i pafajshëm. Ai djalë ka hyrë për terror dhe jo për të mbushur ujë. Kështu vepronin terroristët në kohën e luftës, kur masakronin partizanët. Ata e bëjnë këtë veprim, për shkak të pozitës sime.
Haxhiu ishte shumë i pozicionuar në mendimet e tij.
Mundohesha ta sqaroja. Nuk ka të dhëna për terror. Vërtetohet se ka hyrë për të mbushur ujë. Por ishte e pamundur të pranonte arsyetimin e Hetuesisë.
Në fund i thashë: 

- Do të veprohet sipas ligjit. Në dosje janë administruar provat e dala nga hetimi. Edhe mendimin tuaj e sqaruam, por nuk vërtetohet ideja që ju parashtroni. Unë nuk mund të veproj në kundërshtim me provat.
Haxhiu ngeli i pakënaqur me përgjigjen që mori. Nuk u shpreh konkretisht. Qeshi pak duke shtrembëruar buzët, për të lënë të kuptoja se nuk ishte i kënaqur dhe u largua.
Kur filloi përsëri mbledhja, Ramizi mori fjalën dhe sqaroi:
- Alfonsin dhe Napolonin i lamë të ikin, që të mos krijoheshin keqkuptime.
U bënë edhe dy diskutime të tjera. 

E mori fjalën një mësues i filozofisë në një shkollë të mesme, në Pogradec. Diskutoi teorikisht, duke dhënë direktiva për propagandën dhe edukimin e rinisë. "Televizioni nuk është vetëm për rininë e Tiranës. Të mendohet edhe për këngët popullore, edhe për rininë e fshatit që nuk duron liberalizmin", foli shkurt ai mësues, i cili tipizoi mentalitetin e mendimit politik konservator.
Në fund të mbledhjes foli Ramizi. Theksoi detyrat për kuptimin dhe reagimin ndaj situatës së brendshme dhe asaj të jashtme, mobilizimin në punë, masat që do të merren për rregullimin e gjendjes etj. Bëri të qartë se ata që nuk kanë bërë detyrën, do të mbajnë përgjegjësi. Të kuptohemi, që ligjet duhen zbatuar, por në këtë situatë duhet metodë tjetër e të ndryshojmë ato ligje që na pengojnë. 

Në fund u ngrit dhe i takoi të gjithë duke u dhënë dorën. Mënyra se si po reagonte, të linte qartë të shihje se ishte gati të qeshte, por mundohej ta përmbante veten dhe kërkonte të vazhdonte qëndrimin serioz. Luante si në teatër.
Pas mbledhjes, u largova me Rolanda Dhimitrin. Rrugës diskutuam për mbledhjen. Kishim të njëjtin mendim: "Një komedi e turpshme". 

Rrugës takuam edhe Aleks Luarasin.
U ndava me ta te hotel "Peza". Vajta direkt në zyrë, mbarova disa punë që kishin ngelur dhe u nisa për në shtëpi.

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)