• Fondacioni "Qemal Stafa" do të angazhohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke krijuar shtabe elektorale.Dje në ambientet e hotel "Tirana" u organizua seminari trajnues, një bashkëpunim mes fondacionit "Qemal Stafa", Partisë Socialiste të Holandës, si dhe fondacionit "Alfred Mozer". Një seminar i tillë u bë në kuadër të përgatitjes së strukturave të PS-së për organizimin e ardhshëm zgjedhor. Të pranishmit në këtë takim hodhën idenë për mënyrën e funksionimit të fushatës elektorale, si dhe të formave të tjera me qëllim që të ketë një fushatë ndryshe nga herët e tjera. Kreu i këtij fondacioni, Sajmir Tahiri, hodhi disa prej tezave për punën dhe ndihmën që mund të japë fondacioni, duke propozuar ngritjen e shtabeve elektorale për çdo zonë elektorale. Në këtë takim ka rënë në sy mungesa e kreut të PS-së, Edi Rama. Fondacioni "Qemal Stafa" do të marrë përsipër edhe hartimin e programit elektoral të PS-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fondacioni "Qemal Stafa" dhe Sekretariati për Çështjet Zgjedhore pranë PS-së, në bashkëpunim me partnerët si Partia Socialiste Holandeze dhe fondacioni "Alfred Mozer" filloi që dje përgatitjet konkrete për zgjedhjet e ardhshme elektorale.