Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë ka vlerësuar faktin që për herë të parë edukimi i vazhdueshëm bëhet temë qendrore diskutimi e një forumi kaq të madh profesionistësh të shëndetësisë ndërsa theksoi se kjo konferencë zhvillohet në një moment kur Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar edukimin në vazhdim si një nga shtyllat e reformës për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.



"Ministria e Shëndetësisë ka ngritur Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim për të ngritur dhe zbatuar sistemin e akreditimit të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm dhe atë të ricertifikimit të profesionistëve", sqaroi Vasili. Sipas tij, ministria ka miratuar tashmë kuadrin rregullator që përcakton kriteret mbi të cilat do të bëhet ricertifikimi i mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve. Në bashkëpunim me institucione të tjera, si Urdhrat e Profesionistëve, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e infermierisë, ISKSH, Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve, si dhe shoqatat e profesionistëve, janë përcaktuar edhe sanksionet në rast moszbatimi të kërkesave të programit të ricertifikimit".



Në përfundim të fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë, Vasili, bëri me dije se duke filluar nga janari i 2010-s të gjithë mjekët, farmacistët dhe dentistët do të regjistrohen në programin e ricertifikimit dhe do të kenë detyrimin për të përmbushur kërkesat e tij.



Lo.Mi