Shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës shënuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor të këtij viti. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, INSTAT, shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë arritën në 3 miliardë e 316 milionë lekë gjatë muajit qershor. Importet nga Kina drejt Shqipërisë gjatë muajit qershor arritën në 3 miliardë e 101 milionë lekë, ndërsa eksportet në 215 milionë lekë. Si gjashtëmujor tregtia midis Shqipërisë dhe Kinës rezulton me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Eksportet gjatë periudhës janar-qershor arritën në 1 miliard e 176 milionë lekë, ndërsa importet llogariten në 13 miliardë e 679 milionë lekë. Mbi bazën e të dhënave të publikuara, rezulton se në strukturën e importeve me Kinën përfshihen makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, materiale ndërtimi dhe metale, si dhe tekstile e këpucë. Eksportet me Kinën përbëhen kryesisht nga minerale.