Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.





Qeveria merr në fshehtësi vendimin për shkatërrimin e KaraburunitNga Balkan Insight

Pak javë përpara zgjedhjeve kyçe për Shqipërinë, qeveria ka miratuar në heshtje ndërtimin e atij që ndoshta mund të jetë parku eolik (për energjinë me anë të erës), më i madh në Evropë, një projekt, për të cilin ambientalistët kanë paralajmëruar se mund të shkatërrojë një nga brigjet e virgjëra, ndërsa të tjerë thonë se mund të jetë një shkelje e hapur e ligjit.


Qeveria i ka transferuar më shumë se 97 hektarë tokë kompanisë italiane Moncada Energy përfshirë dhe një kilometër zonë mbrojtje, në të cilin nënkontraktori shqiptar, Enpower Albania, synon të ndërtojë një park eolik me fuqi 500 megavat, në jug të vendit. Një investigim i BIRN në dhjetor të vitit 2008 tregonte se projekti rrezikon të shkatërrojë një prej zonave më të paeksploruara në Evropë duke lejuar ndërtimin e parkut eolik në një rezervat natyror dhe mbi territorin e një parku kombëtar.


Vendimi për të dhënë tokën dhe leja mjedisore janë të paligjshme sipas ligjeve shqiptare që synojnë mbrojtjen e rezervateve natyrore.


Grupet ambientaliste janë të tërbuara me vendimin e Ministrisë së Mjedisit për të lëshuar një leje për parkun eolik në gadishullin e Karaburunit - një park natyror - dhe një nga vendet më të bukura në gjithë Mesdheun.


Projekti përfshin ndërtimin e një linje transmetimi që do të kalojë nga porti i Vlorës për në portin italian të Brindisit.


Kablloja me fuqi 400kV do të shtrihet në thellësinë 900 metra për rreth 145 kilometra dhe do të mundësojë kalimin e energjisë për në vendin fqinj. Linja e interkoneksionit dhe parku eolik do të kenë një vlerë të përafërt prej 1.25 miliardë eurosh. Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2010.


Ekspertët e konsiderojnë gadishullin e Karaburunit, që ka një hapësirë prej 62 kilometrash katrorë, afër qytetit të Vlorës, së bashku me parkun e Llogorasë, si një nga parqet natyrale më të rëndësishme të Mesdheut.


Ndërsa momentalisht ajo është një rezervë natyrore, një seri studimesh sugjerojnë që e gjithë zona të kthehet në park kombëtar.


Kjo sugjerohet nga projekti MedWetCoast në vitin 2006, Plani për Veprim Strategjik për Biodiversitetin në vitin 2002, Plani për Aksion në Zonat e Bregdetit në vitin 1996 dhe një raport për aktivitetet në zonat me mbrojtje speciale që daton në vitin 1996.


Genuario Belmonte, Profesor për Biologjinë Detare në Universitetin e Salentos në jug të Italisë, e përshkruan Karaburunin si një parajsë të pazbuluar.


“Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë për të ilustruar atë se çka duhet të jetë Mesdheu”, - tha Belmonte për Balkan Insight. “Gadishulli është një nga pasuritë më të mira të rajonit për të tërhequr turistë nga Bashkimi Evropian.”








Parku eolik kërcënon parajsën shqiptare





2 dhjetor 2008





Ai që mund të jetë parku eolik më i madhi në kontinent mund të shkatërrojë një nga brigjet më të paeksploruara në vend - e mund të thyejë ligjet.


Qeveria shqiptare rrezikon të shkatërrojë një nga ambientet më pak të prekura - dhe të thyejë vetë ligjet e saj - duke lejuar një kompani italiane, që do të operojë përmes një nënkontraktori shqiptar, për të ndërtuar një park eolik në një rezervat natyror dhe pjesë e një parku kombëtar.


Qeveria ka transferuar më shumë se 97 hektarë tokë për kompaninë italiane Moncada Energy Group, që përmes nënkontraktorit shqiptar, Enpower Albania, synon të ndërtojë një park eolik në jug të vendit me fuqi prej 500 megavatesh.


Të dyja, si vendimi për dhënien e tokës, dhe leja mjedisore, janë antiligjore sipas ligjit shqiptar që mbron rezervatet natyrore. Një gjë të tillë e ka mësuar Balkan Insight.


Projekti madhështor për të ndërtuar një prej parqeve eolike më të mëdhenj në Evropë do të jetë në tryezë për t’u nënshkruar nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni, me homologun shqiptar, Sali Berisha, kur të takohen në Tiranë të martën.


Balkan Insight ka mësuar se qeveria shqiptare ka ndryshuar ligjin për transferimin e tokës publike pak javë përpara se kompania ta paraqiste projektin, edhe pse zyrtarët hedhin poshtë mundësinë që ndryshimet të kenë lidhje me ndonjë dëshirë të qeverisë për t’i dhënë tokë ndonjë kompanie italiane.


Grupet ambientaliste ndërkohë janë të acaruara me faktin që Ministria e Mjedisit ka lëshuar një leje për parkun eolik në gadishullin e Karaburunit- zona e rezervatit natyror- si një nga zonat më të bukura në Mesdhe.


Edhe pse Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar lejen për ndërtimin e parkut eoil në shtator 2008, pasi Ministria e Mjedisit ka lëshuar lejen, Enpower Albania nuk ka kompletuar një studim fizibiliteti që të provojë se atje ka mjaftueshëm erë për të justifikuar projektin.


Ndërkohë, ekspertët kanë theksuar se, edhe nëse do të ndërtohet, Shqipëria nuk do përfitojë, për shkak se energjia do të transportohet për në Itali.


Përfaqësuesi i Enpower në Shqipëri, Andi Memi, refuzoi që të intervistohet në lidhje me projektin, duke i adresuar pyetjet te një grup inxhinierësh të punësuar nga kompania. Por edhe inxhinierët refuzuan të komentojnë kritikat për këtë skemë, ndërsa dhjetëra e-mail-e të dërguara për kompaninë mbetën pa përgjigje.





Parku eolik më i madh në Evropë





Më një kapacitet total prej 500 megavatesh, projekti mund të jetë potencialisht parku eolik më i madh në Evropë, bëri të ditur Moncada në maj të vitit 2008.


Projekti do të përfshijë ndërtimin e një linje transmetimi që do të nisë nga porti i Vlorës në Shqipëri dhe do përfundojë në portin italian të Brindisit.


Një kabllo energjie prej 400kV do të shtrihet për 145 kilometra nën Adriatik, në thellësinë e 900 metrave, e do të bëjë të mundur që energjia të transmetohet për në vendin fqinj. Linja e interkoneksionit dhe parku eolik së bashku mendohet se do kushtojnë rreth 1.25 miliardë euro. Ndërtimi pritet të nisë në vitin 2010.


Nisur nga vendimi i ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka miratuar transferimin e 97.746 hektarëve tokë publike nga rezervati natyror i Karaburunit dhe Parku Kombëtar i Llogorasë për Enpower Albania më 28 maj 2008 për të ndërtuar parkun eolik dhe ndërtimin e rrugëve dhe linjave të transmisionit të energjisë.


Megjithatë, vendimi bie në kundërshtim me vetë ligjet e Shqipërisë për mbrojtjen e zonave natyrore.


Për më tepër, Kushtetuta thotë se çdo veprim, si ai i miratuar nga Këshilli i Ministrave, apo dhe lëshimi i lejes mjedisore për Enpower Albania për ndërtimin e parkut eolik, është nul dhe pa asnjë vlerë, nëse bie në kundërshtim me ligjet ekzistuese të miratuara nga parlamenti.


Vendimi i Këshillit të Ministrave në fakt prek më shumë një rezervat natyror sesa një park kombëtar. Por prek 0.6 hektarë të Parkut Kombëtar të Llogorasë, dhe një ligj i vitit 2002 për zonat e mbrojtura ndalon ndërtimin e “rrugëve dhe linjave të transmisionit të energjisë” në parqet kombëtare.


Ekspertët theksojnë se dhjetëra studime shkencore kanë rekomanduar që e gjithë zona të kthehet në park kombëtar.


Ambientalistët akuzojnë se, edhe pse procedura e përdorur nga Ministria e Mjedisit për lëshimin e lejes mjedisore bie në kundërshtim me ligjin, dhe edhe pse u kanë shkruar qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, ata nuk kanë marrë akoma asnjë përgjigje.


Ata theksojnë gjithashtu se si pjesë e Rrjetit Emerald për Interesin në Zonat e Konservimit Special në Evropë, që mbështet konventën e Bernës të vitit 1979 për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore në Evropë, që është nënshkruar nga Shqipëria në vitin 1995, ndërtimi i parkut eolik në secilën pjesë të parkut kombëtar shkel detyrimet e Shqipërisë sipas këtij traktati.


Edhe pse ligji lejon projekte në rezervate natyrore, pasi ata të marrin një leje mjedisore, përpara se të merret kjo leje, vendimi duhet të vijë pas konsultave intensive publike.


Konventa e Aahrusit, është miratuar dhe nga Shqipëria, e për të cilën është krijuar dhe një zyrë në Ministrinë e Mjedisit, kërkon që ky konsultim publik të ndërmerret nga qendra e Aahrusit, përfshi këtu dhe regjistrimet e publikuara.


Kur Balkan Insight u interesua në lidhje me debatet në qendrën Aahrus në Ministrinë e Mjedisit, zbuloi se nuk kishte asnjë provë se ishte zhvilluar ndonjëherë ndonjë debat.


Zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, tha se ligji lejon ndërtimet brenda rezervateve natyrore, nëse marrin një leje nga Ministria e Mjedisit, e cila vendos disa kushte për marrësit e lejes.


Bino pranoi se, nëse projekti prek parkun kombëtar, do të ishte antiligjor.


Balkan Insight gjithashtu kërkoi nga ministria që të kishte akses në studimin për ndikimin në mjedis dhe dokumentet e tjera që Moncada ka depozituar në lidhje me çështjen e lejes mjedisore.


Por drejtori për lejet mjedisore në ministri, Gavrosh Zela, refuzoi kërkesën, duke thënë se ata mund të jepnin kopje të vendimeve të tyre dhe dokumente të tjera të depozituara nga Moncada pas 15 vitesh.


Ky është një dhunim i hapur i faktit që legjislacioni për lirinë e informimit detyron zyrtarët shqiptarë që të japin çdo dokument që nuk është klasifikuar si sekret shtetëror.


Në mënyrë domethënëse, Balkan Insight mësoi se, pasi Moncada prezantoi projektin te qeveria shqiptare, e drejtuar nga Sali Berisha, autoritetet ndryshuan me shpejtësi ligjin për transferimin e pyjeve dhe livadheve publike për kompani private për projekte ekonomike.


Ata ndryshuan ligjin e vitit 2005 më 19 mars 2007, dy javë përpara se Moncada t’ia prezantonte projektin Berishës.


Ndryshimet lejojnë qeverinë që të rrisë sasinë e tokës publike që mund të transferohet te kompanitë private pa kërkuar miratim nga parlamenti, nga 30 deri në 100 hektarë.


Autoritetet mohojnë që ligji të jetë ndryshuar për kompaninë Moncada. Zëvendësministri Bino, që ka përgatitur ndryshimet, thonë se ata nuk kanë lidhje me ndonjë kompani italiane.





Parajsë, por jo për shumë gjatë





Ekspertët e konsiderojnë gadishullin e Karaburunit që mbulon një sipërfaqe prej 62 kilometrash katrorë, së bashku me Parkun Kombëtar të Llogorasë, si një zonat natyrore më të rëndësishme të gjithë Mesdheut.


Ndërsa momentalisht ajo është një rezervë natyrore, një seri studimesh sugjerojnë që e gjithë zona të kthehet në park kombëtar.


Kjo sugjerohet nga projekti MedWetCoast në vitin 2006, Plani për Veprim Strategjik për Biodiversitetin në vitin 2002, Plani për Aksion në Zonat e Bregdetit në vitin 1996 dhe një raport për aktivitetet në zonat me mbrojtje speciale që daton në vitin 1996.


Genuario Belmonte, Profesor për Biologjinë Detare në Universitetin e Salentos në jug të Italisë, e përshkruan Karaburunin si një parajsë të pazbuluar.


“Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë për të ilustruar atë se çka duhet të jetë Mesdheu”, - tha Belmonte për Balkan Insight. “Gadishulli është një nga pasuritë më të mira të rajonit për të tërhequr turistë nga Bashkimi Evropian.”


“Zona e Karaburunit është një nga të paktat zona të mbrojtura, që ka pasur faktin të jetë e tillë, pasi shumë zona të tjera janë shkatërruar”, - thotë Xhemal Mato, i Ligës Shqiptare të Ambientalistëve.


“Fakti që e vetmja rrugë që të çon në gadishullin e Karaburunit kalon përmes një baze ushtarake, që e ka izoluar nga bota, e bën atë një prej zonave më të pasura mjedisore për florën dhe faunën në gjithë vendin”, - shton ai.


Aktivistët e mjedisit në Shqipëri i thanë Balkan Insight se, pasi Moncada bëri të njohur projektin gjatë një takimi në maj, në zyrat kryesore në Agrigento në Itali, ata vunë re se kompania kishte në plan të ndërtonte një rrjet të gjerë rrugësh. Kjo, thonë ata, në mënyrë të paevitueshme do u hapë rrugë ndërtimeve.


Sipas Ligës Shqiptare të Ambientit, rrjeti rrugor i miratuar ka një total prej 870 mijë metrash katrorë dhe do ketë një ndikim shumë të madh në gadishull. Bazuar në një gjerësi mesatare prej 5.6 metrash, kjo do të thotë rreth 151 kilometra rrugë të reja.


Xhemal Mato, që mori pjesë në prezantim në Agrigrento, thotë se kjo do të sjellë “urbanizimin e zonës, shumë infrastrukturë dhe mafia do të mbërrijë aty. Momentin që do të nisë ndërtimi i rrugëve, vilat do të mbijnë.”


Balkan Insight i ngriti këto shqetësime te kompania Moncada, por ata refuzuan të përgjigjen.


Profesor Belmonte gjithashtu paralajmëron se rrjeti i rrugëve dhe infrastruktura do të jenë fillimi i fundit të vlerave natyrore për gadishullin.


Strategjia kombëtare e turizmit, e miratuar nga qeveria në vitin 2005, thekson rëndësinë e turizmit ekologjik dhe kulturor. Strategjia i paraqet zonat natyrore si asete primare në krahasim me brigjet e mbizhvilluara të vendeve fqinje.


“Vlera e Vlorës si një destinacion turistik qëndron në zonat absolutisht natyrore të Karaburunit”, - thotë profesor Belmonte, duke shtuar se parku eolik do të ketë të njëjtin efekt negativ si zhvillimet e fundit në Durrës dhe Sarandë.


Sipas Matos: “Gadishulli i Karaburunit është shumë afër Vlorës dhe çdo park eolik duhej të ishte së paku 40 kilometra larg.”





Zgjidhje për krizën e energjisë?





Askush nuk e vë në dyshim se Shqipëria ka nevojë për energjisë e ajo pa karbon, e ashtuquajtura energji jeshile, është më e mira e të gjithave. Por ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë thanë se Shqipëria nuk do përfitojë shumë nga parku eolik që planifikohet të ndërtohet në Karaburun.


Aktivistët shqiptarë të ligës mjedisore, gjatë vizitës në Itali, thonë se kompania u ka deklaruar se energjia e parkut eolik do të jetë për eksport. “Ata pranuan se asnjë kilovat energji nuk do qëndrojë në Shqipëri”, - tha Mato.


Balkan Insight nuk ka qenë në gjendje që të konfirmojë pretendimet te kompania.


Një çështje më vete është ajo, nëse parku eolik është në gjendje të jetojë. Kjo është një çështje që ka të bëjë me të qenit sporadik dhe i referohet nevojës për të mbajtur centrale të tjera energjie të ngritura në rastin kur era nga parku eolik ndalet befasisht, duke krijuar një bllokim të beftë të energjisë.


“Kur energjia prodhohet nëpërmjet fuqisë së erës, një tjetër burim energjie duhet të mbahet në punë, me qëllim që të sigurojë një furnizim konstant gjatë orëve të pikut të konsumit”, - thotë Agim Nesho, drejtori i licencimit në ERE. “Shqipëria aktualisht përdor vetëm një burim të vogël hidro prej 25 megavatesh për këtë lloj rezerve dhe nuk ka burime të tjera të ngjashme”, - shton ai. Kompania italiane duhet të provojë gjithashtu se ka mjaftueshëm erë në Karaburun, me qëllim që të justifikojë projektin. Agim Nesho thotë se për një studim fizibiliteti për të provuar këtë gjë, kompania do të duhet të instalojë një grup kullash 50 metra të larta që të masë shpejtësinë e erës dhe kohëzgjatjen e saj në një vit në një pjesë të ndryshme të territorit ku ajo planifikon të vendosë turbinat.


Sipas Matos, Shqipëria ka shumë pak për të fituar dhe pafund për të humbur në këtë projekt.


“Nuk e kuptoj se çfarë interesi kemi ne te ky projekt”, - thotë ai.