TIRANE – Këshilli i Ministrave ka vendosur të pezullojë për një vit licencën e Universitetit privat “Kristal”. Vendimi vjen pas skandalit të diplomës së shtetasit italian Renzo Bossi, i biri i ish-liderit të Lega Nord në vendin fqinj, marrë pranë këtij instituti pa shkelur asnjëherë në Shqipëri.

Burime nga Ministria e Arsimit konfirmuan lajmin për Shqiptarja.com dhe shtuan se për këtë vit nuk do të pranohen studentë të rinj ndërsa ata aktualë do të lejohen të përmbyllin vitin akademik.

Ministria e Arsimit ndërmori një kontroll pas njoftimeve në media sipas të cilave në Universitetin Kristal janë pajisur me diploma persona të ndryshëm pa frekuentuar ndonjëherë procesin arsimor. Gjithashtu edhe Prokuroria e Tiranës po heton në lidhje me këtë ngjarje për falsifikim dokumentash.

Në një konferencë për shtyp Ministria e Arsimit konfirmoi lajmin dhe shtoi se për vitin akademik 2012-2013 Universiteti Kristal nuk do të pranojë studentë të rinj. Sipas Edlira Late, drejtoreshë e Arsimit të Lartë në MASH, gjatë periudhës një vjeçare të pezullimit, Ministria e Arsimit do të ushtrojë inspektime çdo 3 muaj. Në përfundimit të pezullimit 1-vjeçar, “Kristal” do t’i nënshtrohet akreditimit institucional pranë kësaj ministrie.

Zonja Late tha se MASH ka zhvilluar kontrolle edhe pranë universiteteve të tjera private dhe se diplomat kanë qenë pjesë e këtij procesi verifikues.

Në vijim teksti i plotë i Vendimit të Këshillit të Ministrave:

V E N D I M

PËR

PEZULLIMIN E PJESSHËM DHE TË PËRKOHSHËM TË LICENCËS SË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE JOPUBLIKE, UNIVERSITETI “KRISTAL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 46, të ligjit nr.9741 datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë.

2. Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron.

3. Periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

4. Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale.

5. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë.

6. Në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

7. Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

(im/shqiptarja.com)