Pikëkalimi kufitar i Morinës, dikur i etiketuar si Bradenburgu i shqiptarëve dhe më vonë si Porta lidhëse mes shqiptarëve për njerëzit dhe mallrat, ditët e fundit është zbrazur, kryesisht nga kamionët që transportojnë mallra në të dy anët e kufirit. Tarifa e çimentos, e vendosur që më 11 qershor nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, por edhe kriza financiare që ka prekur të dy vendet, ka boshatisur këtë pikë doganore, e vetmja që lidh Kosovën me Shqipërinë.


Tashmë mediat si në Shqipëri dhe në Kosovë nuk transmetojnë lajme e kronika për radhë të gjata kamionësh. Korsia ku parkoheshin kamionët me mallra në pritje të procedurave doganore në Morinë është e zbrazur. E njëjta pamje është edhe në pjesën e Kosovës, pikërisht në ish-urën që lidh dy shtetet, të shndërruar tashmë në një rrugë me katër kalime. Dhe kjo ndodh jo se janë lehtësuar proceduarat, por për faktin se midis Shqipërisë e Kosovës nuk ka fluks të shkëmbimit të mallrave. Pamjet e ditëve të fundit në Morinë-Vërmicë u ngjajnë atyre të viteve 90 të shekullit që sapo lamë pas, ku Jugosllavia e mbetur ishte nën embargon e OKB-së për shkak të luftës në Bosnjë dhe në këtë pikëkalimi qarkullonin një numër autoveturash që bënin tregti të naftës dhe derivateve  të saj, por edhe të mallrave të tjera duke thyer njëherësh embargon e OKB-së.


Por tani pas 17 vjetësh, një numër gjithsesi më i madh i autoveturave, të markave të njohura perëndimore, me targa të Republikës së Kosovës i drejtohen Shqipërisë, ku një pjesë e tyre shkojnë në bregdet, ndërsa të tjerë për të kryer punët rutinë në Tiranë. Ndërkohë që në anën e Shqipërisë të zë syri ndonjë automjet të vetëm të ngarkuar me tulla që kalon në Kosovë, apo autocisterna të ngarkuara me karburante në portin e Durrësit dhe që kalojnë transit për në Kosovë. Tarifa e çimentos e vendosur nga MTI-ja e Kosovës, ka bërë që shkëmbimi i mallrave me Kosovën këto ditë ka njohur një ulje të ndjeshme, thotë Afrim Januzi, një zyrtar në doganën e Morinës.


Nga 120 kamionë në ditë që kemi përpunuar mesatarisht më parë, 50% e numrit tyre kanë qenë të ngarkuar me çimento, sqaron Januzi. Por zyrtari i doganës së Morinës thotë se janë shënuar rënie edhe për sa i përket importeve nga Kosova ku dogana e Morinës këta dy muajt e fundit është vënë në vështirësi edhe për realizimin e planit./KD