Sëmbimet apo ‘provokimet’, siç duan t’i quajnë psikologët, shpesh ndodhin për të parë nëse dikush reagon, nëse ky tru, kjo mendje, këta veshë që dëgjojnë e këta sy që shohin, janë gjallë e dinë të përgjigjen. Por ne prapë heshtim. Heshtjen kemi profesion. Jemi bij të rreshtit. Heshtim kur numërohemi. Heshtim edhe kur numërojmë... Nuk na pëlqen kur sjellim ndërmend si u tret ajo racë, që kish ca gjëra të shenjta, si rilindësit, për shembull, neoshqiptët apo etërit françeskanë. Por ne heshtim sërish, se pa gjë s’kemi mbetur, diç prej andej ka rrjedhur e dalëngadalë prej nesh po mpikset një racë. Nuk na pëlqen që lista e të vdekurve në rrugë të jetë me e gjatë se vetë rruga... Nuk na pëlqen as që jeta të jetë pa çmim... Nuk na pëlqen që heshtim kaq shumë, me gojë e me shkrim... Nuk na pëlqen të thithim ajër me squfur... Nuk na pëlqejnë as rrugët pa pemë, as ajo që mund të korrim nga gjithë çka kemi mbjellë... Mundet..., kjo heshtje do të na purifikojë. Do të dalë diçka dhe nga kjo heshtje e thellë? Martin Luther-i (jo Kingu) e paskësh lënë dikur një urim: për maturi ka kohë përherë, kohë nuk ka shumë veç për guxim!



Arian LEKA



Dikur lexova për një njeri që, për t’i shpëtuar zallahisë, zhurmave, brohoritjeve, akuzave, klithmave, përbaltjeve, pështymave, karshillëqeve, ngrefosjeve, bubërrimeve e të tjerave si këto, u mbyll brenda, fiku dritat, mbylli sytë, kyçi gojën dhe heshti. Jo vetëm kaq. Ai shkoi madje gjer aty, sa filloi të koleksiononte copa heshtjesh. Ky njeri, ngase është prej boje dhe letre, quhej dhe vazhdon të quhet Myrke. Po ngaqë është prej boje dhe letre, ky njeri punonte dhe vazhdon të punojë ende në një media, gjë jo dhe aq pa pushtet në ditët e sotme.



* * *

Sindroma e këtij njeriu - koleksionimi i heshtjeve, pra - nuk paskësh qenë një punë dhe aq pa të keq. Tani, pas kaq vitesh, duket se sindroma Myrke na ka molepsur të gjithëve. Duket paradoks për një vend si ky yni, ku heq të zitë e ullirit jo për gojë të çapëlyera e individë hazërxhevapë, po për veshë dëgjues. Sidoqoftë, meseleja jonë, si të gjitha meseletë tona, është pak me spec. Jo se, largqoftë, u duhet mbyllur goja atyre që flasin pa u lodhur nëpër karuselet e ekraneve (falë Zotit dhe jo vetëm zotit, e drejta për të folur i përket gjithkujt). Në rastin e tyre mund të thuhet edhe – Zot fali, se nuk dinë se ç’thonë! Që flasin ata që flasin, nuk ka të keq. Por që heshtin ata që s’duhet të heshtin e që madje paguhen e nderohen për të mos heshtur, këtu fillon xanxa.



* * *

Kundërshtoni shumë, binduni pak, shkruante dikur një poet amerikan, se bindja çon në skllavëri dhe prej skllavërisë... Por ne nuk flasim. Ose më mirë, ne përflasim. E mbi të gjitha, ne dimë të heshtim. Madje, dimë të heshtim si jo më mirë. Gjithë kjo periudhë, veç të tjerash, si duket po vlen për ta përsosur heshtjen. Se ne dimë të heshtim edhe kur na sëmbojnë.

Sëmbimet apo ‘provokimet’, siç duan t’i quajnë psikologët, shpesh ndodhin për të parë nëse dikush reagon, nëse ky tru, kjo mendje, këta veshë që dëgjojnë e këta sy që shohin, janë gjallë e dinë të përgjigjen. Por ne prapë heshtim. Heshtjen kemi profesion. Jemi bij të rreshtit. Heshtim kur numërohemi. Heshtim edhe kur numërojmë.



* * *

Edhe pse nuk na pëlqen se për ata, të cilët punojnë në heshtje, përgëzimet janë më të rralla, sesa takimet me të vërtetën..., ne heshtim, u buzëqeshim atyre nga larg, si t’u hidhnim dorashkën nën këmbë dhe shkojmë heshtur në punën tonë.

Nuk na pëlqen që gjithçka nis përherë nga e para. Po heshtim, legjendën e Rozafës hollë-hollë e dimë dhe heshtja është e drejtë dhe e mbara.



* * *

Mund të jemi kundër atyre që, në faqe të zeza gazetash a ekrane me lustër, vetëmashtrohen dhe haptas mashtrojnë. Por ne dimë të heshtim dhe, me heshtje, turpin si nderin bekojmë.

Nuk na pëlqen që në rrugë ka më shumë ‘Baste live’, sesa biblioteka dhe kënde për fëmijë obezë e pleq hollakë. Por ne heshtim, e dimë proverbin - heshtja është shkollë që nxjerr diplomatë.



* * *

Nuk na pëlqen as që historia të ketë dy të vërteta dhe që fajin e kanë përherë armiqtë, po ne prapë heshtim dhe heshtim sërish, se kjo vjen më për hosh, se përrallat, njëlloj si dardhat, kanë përherë edhe bisht.

Atllarët të çmimeve, gabimeve, mosqortimeve, ata që gjoksin me nder stolisin, i ‘thumbojmë’ heshturazi në kafe. E kështu, në heshtje, përligjim se heshtja është qëndrim edhe pa llafe. Kundër imazhit të keq të shqiptarit në botë jemi pror’, por heshtja, sado është kapotë e ndotur, gjithsesi tekefundit mban ngrohtë.



* * *

Nuk na pëlqen që në kokat e fëmijëve futet tallash i grirë imët, por heshtim prapë, se heshtja bën mirë, na bën më të matur.

Nuk na pëlqen që e keqja të mbetet pa emër, nuk na pëlqen të përdoremi e pastaj të flakemi në kosh. Por heshtim, se heshtja sidoqoftë është diçka në lugën bosh.

Nuk na pëlqen që ‘o sa mir’ me ken shqiptar!’ - e themi zëngjirur nëpër stadiume dhe me t’u bërë pak errësi. Por heshtim. Tash sa mot e kemi xanë: Fjala asht argjend! Heshtja flori!



* * *

Nuk na pëlqen kur sjellim ndërmend si u tret ajo racë, që kish ca gjëra të shenjta, si rilindësit, për shembull, neoshqiptët apo etërit françeskanë. Por ne heshtim sërish, se pa gjë s’kemi mbetur, diç prej andej ka rrjedhur e dalëngadalë prej nesh po mpikset një racë.

Nuk na pëlqen që lista e të vdekurve në rrugë të jetë me e gjatë se vetë rruga... Nuk na pëlqen as që jeta të jetë pa çmim... Nuk na pëlqen që heshtim kaq shumë, me gojë e me shkrim... Nuk na pëlqen të thithim ajër me squfur... Nuk na pëlqejnë as rrugët pa pemë, as ajo që mund të korrim nga gjithë çka kemi mbjellë... Mundet..., kjo heshtje do të na purifikojë. Do të dalë diçka dhe nga kjo heshtje e thellë?



Post Scriptum: Martin Luther-i (jo Kingu) e paskësh lënë dikur një urim: për maturi ka kohë përherë, kohë nuk ka shumë veç për guxim!





6 Prill 2009