LEFTER KOKA


lefter kokaMjedisi është një pasuri e përbashkët, e cila nuk na përket vetëm ne por edhe brezave të ardhshëm. Edukimi mjedisor është një faktor tejet i rëndësishëm për ta mbrojtur këtë pasuri të çmuar që na ofron natyra shqiptare.


Janë bërë shumë gabime ndaj mjedisit. Ne nuk mund të zhbëjmë të kaluarën, por jemi në kohë të mbrojmë të ardhmen dhe hapi më i rëndësishëm drejt kësaj të ardhme për mjedisin është dhe duhet të jetë edukimi mjedisor.


Edukimi mjedisor, veçanërisht për nxënësit dhe të rinjtë, na ndihmon të krijojmë një raport të ri me mjedisin dhe natyrën.


Pa edukimin mjedisor të brezave të rinj, çdo iniciativë e marrë nga qeveria, çdo aksion kombëtar nga të gjitha autoritetet shtetërore, vendore, apo nga organizata vullnetare, nuk do të arrinin suksesin e kërkuar. Edukimi i brezit të ri është çelësi për një Shqipëri më të pastër dhe më të bukur.


Ministria e Mjedisit brenda pak muajve ka qenë iniciatore e dy aksioneve kombëtare tejet të rëndësishme siç ishte Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë dhe aksioni i ndërmarrë në sajë të Emergjencës Mjedisore për pastrimin e mbetjeve në rrugët nacionale dhe zonat më të ndotura. Megjithatë, përkujdesja ndaj mjedisit duhet të jetë një edukatë e përditshme e jetës së çdo qytetari.


Ne si qeveri kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim shumë aksione të mëdha për pastrimin e vendit nga mbetjet, por kjo mbetet një zgjidhje afatshkurtër, pasi zgjidhjen afatgjatë e jep vetëm edukimi i brezit të ri, i cili është edhe investimi më i madh që mund të bëjë një qeveri dhe një komb.


Nëse arrijmë që edukimi mjedisor të bëhet pjesë e pandashme e dijes shkollore dhe e etikës qytetare, jam i bindur që pas një dekade ne, nuk do të flasim më për mbetje në rrugë dhe në mjedisin që na rrethon.


Sot ne po mbjellim me qindra mijë fidanë të rinj, megjithatë duhet të investojmë edhe në qindra mijë nxënës dhe të rinj në mënyrë që të kemi një vend sa më të pastër, me një të ardhme me standarde mjedisore europiane.


Edukimi mjedisor është po aq i rëndësishëm sa edhe matematika, gjuha, letërsia, etj. Nxënësit në shkollë mësojnë rreth shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët e kanë përshkruar natyrën me fjalë të mrekullueshme; rreth piktorëve që kanë paraqitur peizazhe të jashtëzakonshme, por vetë nxënësit kanë mundësinë të kontribuojnë individualisht në ruajtjen e mjedisit, dhe vetë natyrës si një kryevepër që shkon përtej çdo përshkrimi apo ngjyre të një artisti të madh.


Mjedisi është i lidhur edhe me sportin dhe mjekësinë sepse natyra është e lidhur ngushtë me shëndetin publik. Një mjedis i pastër sjell më shumë energji dhe më pak sëmundje.


Harmonia me mjedisin sjell një harmoni edhe brenda vetë komunitetit. Mjedisi na bashkon me njëri-tjetrin dhe është trashëgimia që na lidh me brezat e ardhshëm. Prandaj, brezi i ri duhet të edukohet më shumë për mjedisin, sepse natyra që na rrethon, përcakton se cilët jemi nga brenda, si qytetarë, nxënës, dhe qenie njerëzore.


Të shtyrë nga kjo rëndësi mbi edukimin mjedisor, Ministria e Mjedisit përkushtohet të përqendrohet edhe më shumë te hartimi dhe diskutimi për përfshirjen e edukimit mjedisor në kurrikulat mësimore; angazhimin dhe pjesëmarrjen në fushatat ndërgjegjësuese për edukimin mjedisor; në shtimin e hapësirave të gjelbëruara në mjediset e shkollave dhe qendrave të banuara; ofrimin e përvojës dhe këshillimit për personelin mësimor; ofrimin dhe shkëmbimin e përvojës për hartimin dhe zbatimin e Kodit të Gjelbër në shkolla; ofrimin e ndihmës në identifikimin, shkëmbimin dhe shpërndarjen e informacioneve mjedisore; pjesëmarrjen dhe promovimin e veprimtarive demonstruese e ndërgjegjësuese të projekteve pilotë në shkollë dhe komunitet, etj.


Nëse dëshirojmë ta gjelbërojmë përgjithmonë jetën tonë dhe të ruajmë natyrën e bukur të vendit tonë, duhet të edukojmë fëmijët dhe brezin e ri.


Ky shkrim RËNDËSIA E EDUKIMIT MJEDISOR u publikua me pare te Gazeta SHQIP.