Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po përgatitet për të sjellë në skenë dy balete të njohura botërore si "Rajmonda" dhe "Spartaku". Baletet do të vijnë nën koreografinë e Leonard Ajkun (Xhokaxhi) i cili do të jetë njëkohësisht edhe solist. Dy veprat e ndërthurura, "Rajmonda" e Alexander Glazunov dhe "Spartaku" i Aram Khachaturian do të ngjiten në skenë në datat 16, 17, 18 dhe 19 qershor. "Rajmonda" trajton figurën e brishtë të një bukurosheje, prej së cilës ka marrë emrin baleti, e cila është e premtuara e Jean De Brienne. Ajo feston ditëlindjen ndërsa pritet që Jean një ditë më vonë. Më parë, ai dërgon disa dhurata, ndër to një portret të tijin. Rajmonda ëndërron të dashurin e saj, ai del nga portreti dhe kërcen me të. Kur zgjohet nga ëndrra, ajo gjen Abdermanin, i cili i shpreh dashurinë që ndien për të. Rajmonda e refuzon dhe ai me bashkëpunëtorët kërkon ta rrëmbejë, por pa sukses. Përpjekja e tij ndërpritet nga ardhja e Jean dhe vëllait të tij, mbretit hungarez. Abderman vdes gjatë një dueli dhe të dashuruarit lidhen në martesë të lumtur. Ndërsa pjesa e dytë, që do të sjellë për publikun baletin "Spartaku" sjell figurën madhështore të mbretit trakian, Spartak, i kapur nga romanët dhe i kthyer në një gladiator-skllav, si dhe kryengritjen e pasuksesshme të skllevërve të udhëhequr nga ai kundër republikës romane. Ky subjekt ka qenë dhe është një frymëzim i përhershëm i formave të ndryshme të artit modern. Përkrah Leonard Ajkun (Xhokaxhi) do të interpretojnë dhe balerinët Astrit Zejnati, Se Yong Kim, Erisa Gina, Alisa Gjoni, Elona Nallbani, Ledia Sula, Jonida Onuzi, Endri Shkoza, Ervis Nallbani, Fatjon Lito, Elton Merja.