Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar se do kërkohet interpelancë me kryeministrin Sali Berisha për ti kërkuar atij llogari se përse e mban Kosovën peng të Serbisë sa i përket energjisë duke mos vijuar projektin e linjës së interkonjeksionit Kosovë- Shqipëri.
Fakti është se projekti i linjës që financohet nga Gjermania ka mbetur peng i qeverisë shqiptare, madje pasi tenderi është kryer dhe ka marrë miratimin e bankës gjermane KFË. Bllokimi ka ardhur edhe pasi vetë OST e ka miratuar rezultatin e tenderit. Letra e drejtorit të KFË për qeverinë nuk ka marrë përgjigje. Dje deputeti ynë Artan Gaçi, që e përgëzoj në këmbënguljen për këtë çështje, mori një përgjigje të turpshme nga përfaqësuesi i partisë së Saliut. Gazeta Zeri i Kosovës jep detaje rrënqethëse që e lidhin bllokimin e procesit me njerëz pranë Berishës. Por unë do ngre tre pyetje publike për Berishën.
Pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik?
Pse qeveria shqiptare dhe Berisha nuk i kanë dhënë një përgjigje financuesve prej një viti ndërkohë flitet për interes kombëtar?
Pse qeveria shqiptare po sillet në kundërshtim me çdo normë etike dhe ligjore me një donator kaq të rëndësishëm si Gjermania për një çështje kaq të rëndësishme siç është pavarësia energjetike e Kosovës? Unë nuk pres përgjigje të sinqertë nga Berisha sepse e di që është në dijeni të kësaj shfaqje të turpshme, madje është regjisori i kësaj shfaqje, tha Rama.
Prandaj propozoj sot që të përgatisim sot urgjent një interpelancë me kryeministrin. Nuk do doja kurrë të besoja që një çështje kaq madhore me një rëndësi kaq të madhe paska mbetur në dorë të një ish- truproje dhe ish- doganieri të Berishës. Ne e dimë mirë si funksionon kjo qeveri dhe ky pushtet kur përpara ka një copë për të shqyer ose një thes për ta mbushur. Ne do donim të mësonim që kjo është një tjetër histori kur flamuri shqiptar bie në gjysëmshtizë dhe flamuri i korrupsionit ngrihet. I kërkojmë Berishës të çlirojë Kosovën nga monopoli i Serbisë dhe të garantojë realizimin e projektit pa i humbur kohë as Shqipërisë dhe as shqiptarëve. Shpresoj shumë që ai të dalë shumë të dalë e thotë se dikush do ndëshkohet për këtë skandal dhe të dalë i papërzier nga ky llum. Është një nga ato rastet kur turpi i qeverisë shqiptare nuk i mbetet vetëm qeverisë, por Shqipërisë, vijoi kryetari i PS.