TIRANE – “Ne jemi duke punuar për një fazë të re të betejës së korrupsionit dhe ne besojmë se do e mundim korrupsionin si një sistem që cdo ditë thith gjakun e familjeve duke thithur gjakun në xhep duke u marrë gjakun”. Kështu u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse në gjatë konferencës “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbime”, kryeministri Edi Rama i cili garantoi se dixhitalizimi së shpejti do të prekë cdo sektor me qëllim që cdo shërbim të ofrohet shpejt dhe cilësor për qytetarin. Në këtë kuadër, Rama garantoi se do të nisë dixhitalizimi i pronës dhe kjo do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë disa shërbime të tjera.
“Nëpërmjet sistemi dixhital duhet të merren të gjitha shërbimet, nëpërmjet sistemit online duhet të merren të gjitha shërbimet dhe të merren shumë shpejt por për të arritur këtu duhet të stërvisim të gjitha pikat e shërbimit. Që të arrijmë që kur të marrë dikush hipotekën të mos sorollatet zyrë më zyrë, por ta marrë edhe, në zyrën e postës edhe në një qendër tregtare. Kemi nevojë që të bëjmë dixhitalizimin e pronës dhe të marrë fund manipulimi e hartave. Kështu cojmë një numër të madh shërbimesh në shumë qendra dhe atje në filan komunë ku nuk ka zyra. Pensionet, të mos rrinë në radhe, por ta marrin pensionin drejtpërdrejt nëpërmjet automateve në një qendër tregtare”.
Sipas Ramës, inovacioni është prioritet dhe transformimi që do të bëhet do të jetë rrënjësor, duke sjellë shembull me policinë.
“Se tani të flasim drejt, nuk jemi as engjëll as djall, jemi të gjithë shqiptarë. Sic i thonë asaj shprehjes, ‘tek i gjalli jeton brenda dhe engjëlli dhe djalli. Por duhet inovacioni që është prioritet dhe kalimi nga oficeri që ha fara dhe pret që qytetari që pret të nxjerrë fara, por në policin që do ketë kamera në trup dhe që monitorohet gjithë lëvizja dhe gjithë trupat që janë në terren do sjellë transformimin rrënjësor se është e pamundur që polici të transformohet në 1 e 1 mijë rrugët ku nuk ka dixhitale, e të mos ndahet e drejta nga e padrejta, kur thonë unë jam vëllai i ministrit të brendshëm apo jam daja, unë jam deputet e nuk pyes fare për ty.
Së fundi, nuk është vetëm clirim nga një sistem gjakpirjeje që është i shtrirë kudo në rrugët e bashkëjetetesës sonë por inovacioni është dhe rritje e garantuar sociale. Përmes inovacionit vijmë në një progres komplet”.
Në fund të fjalës, Rama garantoi se gjithë kjo nuk është aspak utopi, por do të bëhet së shpejti realitet.
Tahiri: Nga janari Komisariat Dixhital, dritare komunikimi mes qytetarëve e institucioneve
Në fjalën e tij gjatë konferencës “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbime”, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi rëndësinë e dokumenteve të reja të identifikimit, me elementë të shtuar sigurie, të cilat do të jenë në duart e qytetarëve prej janarit të vitit 2015. Sipas ministrit Tahiri, nëpërmjet elementëve të shtuar të sigurisë në pasaporta dhe letërnjoftime do të përmirësohet cilësia e shërbimeve, do të rritet efektiviteti i administratës dhe do të ulet mundësia për korrupsion.
“Shërbimet cilësore nëpërmjet inovacionit teknologjik, rrisin aksesin e qytetarëve, që do të thotë më shumë besim, më shumë bashkëveprim, më shumë partneritet, më shumë kapacitet për të dhënë shërbime cilësore. Qytetarët shqiptarë duke filluar nga janari i vitit tjetër do të kenë në duar një nga dokumentet më të sigurta. Nga janar qytetarët do të kenë edhe kartat e reja me elementë të shtuar të sigurisë”- deklaroi ministri.
Ministri i Brendshëm paralajmëroi edhe ngritjen e atij që do të quhet Komisariat Dixhital, një automat që do të shërbejë si dritare komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve.
“Duke filluar me shumë shpresë që nga janari të kemi komisariatin dixhital. është një automat i cili i lejon qytetarit të identifikohet ose nëpërmjet gishtit, kartës së identitet apo pinit personal, duke ofruar një sërë shërbimesh që ofrojnë sot një serë mekanizmash institucional, për të dhënë shërbimet për qytetarët. Komisariati dixhital gjendet kudo ku ka prezencë të shtuar të publikut, për ti dhënë qytetarëve një dritare për të komunikuar me institucionet. Eshtë 24 orë i hapur 7 ditë të javësh dhe pa asnjë kufizim përsa i përket eksesit virtual. Qytetarët mund të kryejnë pagesa për shërbimet që do marrin në këmbim të faturës për çdo shërbim”-u shpreh Tahiri.
Harito:Karta elektronike, guri i themelit në reformën e shërbimeve publike
Kartat e reja elektronike të identitetit, që do të jenë në duart e qytetarëve nga janari i vitit 2015, pritet të ofrojnë më shumë shërbime publike, duke thjeshtuar prezencën e autoriteteve. Këto karta pritet të jenë me reliev identifikues, shenjat e gishtërinjve, përfshirë dhe çipin e sigurisë.
Në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbimet elektronike”, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito theksoi se karta e re elektronike do të jetë guri i themelit për një reformë të rëndësishme të shërbimeve publike, e nisur muaj më parë.
“Shumë shpejt shërbimet publike, tha ajo, nuk do të ofrohen më të copëzuara në dhjetëra zyra siç ndodh sot, por ato do të grupohen, hap pas hapi në zyrat e integruara, ky qytetarëve gradualisht do t’iu ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme publike”.
Harito shpjegoi se regjistrat e shtetit lidhen mes tyre mbi bazën e regjistrit të gjendjes civile dhe karta elektronike, duke identifikuar qytetarin në mënyrë unike, shënon një standard dhe mundëson identifikimin e të gjitha informacioneve që lidhen me të (qytetarin).
Në këtë mënyrë, theksoi Harito, mund të ndërlidhim një sërë shërbimesh sot ku çdo institucion krijon të dhënat e veta si ato që lidhen me pronat, me tatimpaguesit etj.
Ministrja e Inovacionit nënvizoi se karta elektronike në vetvete nuk është një shkop magjik, por lypset që çdo institucion duhet të menaxhojë të dhënat e veta. “Pra, mbi bazën e regjistrit të gjendjes civile regjistrat e tjerë duhen krijuar, mirëmbajtur dhe modernizuar çdo ditë”,- theksoi ajo.
(d.b/er.nu/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Tahiri: Nga janari Komisariat Dixhital, dritare komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve