Edi Rama vendosi në mbledhjen e fund-dhjetorit të Asamblesë së PS-së të aplikonte një operacion Fshesa duke shkarkuar 7 nga benjaminët e tij, të cilëve u kishte besuar portofolet më të rëndësishme ministrore për më shumë se 5 vite.


Mes tyre emri më i kompromentuar ishte ai i Damian Gjiknurit, pasi për ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë ishin ngritur akuza të rënda në lidhje me ndërtimin e segmentit të Unazës së Re.


Pavarësisht se Gjiknuri u angazhua në mbrojtje të firmës së tij për ndërtimin me koncesion të këtij aksi, Rama nuk e përkëdheli siç kishte bërë më parë por e zëvendësoi me drejtoreshën e Albcontrol, Belinda Ballukun.


Largimi i Damian Gjiknurit nisi një erë të re në këtë ministri dhe emërimi i Ballukut nuk qëlloi të ishte një rokadë e thjeshtë për të sfumuar skandalet nga ku buçiste emri i ish-ministrit, por një ndryshim i mirëfilltë politike në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.


Kjo pasi, ish-drejtoresha e Ramës në Bashkinë e Tiranës nisi me dorë të hekurt të zhbëjë punën e paraardhësit të saj, madje duke goditur në zemër politikën 1 Miliardë euro të Partneriteti Publik Privat, ku Gjiknuri ishte investuar shumë fort publikisht gjatë drejtimit të ministrisë.


Në vetëm një javë punë, Belinda Balluku anuloi koncesionin për autostradën Thumanë-Kashar dhe nisi shkarkimet e Gardës së Vjetër që la pas Gjiknuri, me kreun e ARRSH-së Afrim Qendro dhe drejtorin e OST-së Klodian Gradeci që ishin dy goditjet më të forta.


Largimi i dy bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Gjiknurit, ishte një sinjal i qartë që Balluku kishte shënjestruar skandalin me kompaninë fiktive DH Albania, me synimin për të pastruar imazhin e ministrisë që drejton.


Reagimi ndaj  skandalit me tenderin e Unazës dhe linjës Burrel-Peshkopi, që u fituan nga kompania DH Albania ishte një ndryshim i qartë  kursi, por përmbysja e Ballukut  vijoi me vendimin e bujshëm për të futur në një proces skanimi të gjitha lejet për HEC-e që ishin dhënë në kohën e Damian Gjiknurit.


Ky vendim i marrë në kulmin e debatit për betonizimin  kanionit të Holtës në Gramsh, u shoqërua me të tjera shkarkime nga Balluku, një prej të cilëve është edhe ai i sotmi për largimin nga detyra të Etleva Kondit, drejtoreshës së Drejtorisë së Partneritetit Publik Privat në këtë ministri, e cila ka firmosur qindra leje për HEC-e.


Ndërkohë, ministrja e re hoqi qafe drejtorin e portit të Durrësit, Afrim Bakaj dhe së bashku me kryeministrin Edi Rama nxorri jashtë loje edhe zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko.


Me vendim të Ballukut u shkarkua edhe drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Agron Hetoja, edhe ky një bashkëpunëtor shumë i afërt i Damian Gjiknurit.


Të gjitha këto shkarkime dhe anulime projektesh me rëndësi strategjike që ishin firmosur nga Damian Gjiknuri, të krijojnë idenë se Belinda Balluku me bekimin e kryeministrit Edi Rama ka vënë në jetë planin për të çmontuar kupolën e paraardhësit të saj në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.


Gazeta Shqip