Prime Minister of Albania Rama is interviewed by Reuters at the Kennedy School of Government at Harvard University in Cambridge

Kryeministri ka dirigjuar dje personalisht seancën e intimidimit të deputetëve, që kërkonin dekriminalizimin e parlamentit. Me një gjuhë rrugaçërore ndaj zonjave, me urdhëresa personale ndaj Armando Prengës si dhe me badigardë që i përdorte si grup paramilitar, Edi Rama mori dje të gjitha përgjegjësitë përsipër. Ai u tha dje shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se është ai vetë krimi, prandaj edhe dekriminalizimi i Kuvendit duhet orientuar drejt de-edvinizimit të qeverisë e të Partisë Socialiste

Edi Rama sheh tek krimi të bukurën, sheh lule tek plumbat dhe artistë tek kriminelët, por edhe një sistem imunitar për pushtetin e tij, jo vetëm si kryeministër por edhe si kryetar i Partisë Socialiste. Flitet shumë për lidhjet e Edi Ramës me krimin, madje janë bërë denoncime dhe janë treguar fakte që kanë nxjerrë zbuluar këto lidhje. Megjithatë, nuk është se duhet të lodhesh shumë për të demaskuar lidhjet e tij me krimin. Është vetë Edi Rama që na i tregon ato, pa u skuqur e pa iu dridhur trupi, se krimi nuk ka shkuar tek Edvini por Edvini ka shkuar tek krimi. Kjo marrëdhënie që është harlisur qysh kur Edi Rama ishte kryebashkiak, tanimë prej mëse 3 vitesh qeverisjeje ka parë klimaksin e saj. Ka treguar se krimi mund të bëhet deputet, mund të bëhet ministër, madje mund të vjedhë, trafikojë e të vrasë e sërish të dalë i pafajshëm e të rifutet në Kuvend. Rasti i Armando Prengës dhe rikthimit të tij në Parlament, pasi zbrazi karikatorin mbi qytetarë të pafajshëm, dëshmon se fytyra e krimit është ajo e Edi Ramës. Për këtë, është vetë Edvini që del dëshmitar dhe buçet se është ai vetë krimi. Këtë e thotë duke e urdhëruar Armando Prengën që të rikthehet në Kuvend e të turret me vrap për të shpëtuar mandatin e deputetit nga skadenca e mungesës 6 mujore. Për të liruar nga masa e sigurisë me burg Armando Prenga, Rama përdori Sajmir Tahirin që të luante me gëzhojat e përgjakura. Tashmë është e qartë se kur flasim për Armando Prengën, flasim për vetë Edi Ramën. Edvini ka dashuri për krimin. S'ka asnjë shpresë që Edi Rama të bëjë shenja të vullnetit të mirë, se do të ndahet nga krimi e do të përshpejtojë kursin e reformave. Gjatë gjithë ditës së djeshme, ai ka dërguar mesazhe se s'ka ndërmend t'u bashkohet nismave, të cilat i pamundësojnë Armando Prengës kthimin në parlament, ndërkohë që në grupin e deputetëve socialistë po përvijohet ideja se kryeministri është gati të marrë koston e bllokimit të reformave, pasi e ka të pamundur të ndahet nga establishmenti i krimit që ka sjellë në parlament. Pra, nuk është i nxitur vetëm nga paniku i humbjes së pushtetit, por nga emocione dhe nga një psikik plot cene që e bën të gjejë normalen dhe qetësinë tek krimi. Deri më tani jemi gabuar duke akuzuar krimin se është i lidhur me Ramën. Duhet të themi se Rama është i lidhur me krimin dhe është shkrirë me të në një formë të atillë saqë nuk shqitet dot pa shkëputur ndonjë llokmë të madhe pushteti.