19/05/2005 Gazeta prestigjoze spanjolle “Marca”, e ka hapur faqen e parë me një lajm shokues për Juventusin, ku thuhej se “Emerson është i pari që do të veshë fanelën e bardhë madrilene”. Kjo do të thotë në mënyrë të hapur se për presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, mesfushori brazilian i Juventusit, do të jetë objektivi i parë në merkaton e verës. Pra, kanë filluar qysh tani, planet e “galaktikëve” për t'i shpallur luftë të hapur supermacisë së Barcelonës në Temporadë. Pasi katalanasit kanë fituar titullin kampion për këtë sezon, nuk janë kursyer edhe në merkato, duke siguruar menjëherë mesfushorin holandez të PSV Eindhoven, Mark Van Bomel. Në këtë mënyrë klubi madrilen së bashku me drejtuesit e tij nuk mund ta pranojnë kurrsesi rikthimin në fuqi të “perandorisë” katalanase. Merengues ishin hedhur në sulm për Emerson, qysh prej vitit të kaluar, kur braziliani aktivizohej në radhët e Romës, por për fat të keq nuk ia ka dalë dot mbanë. Por, tani Perez, i frymëzuar edhe nga drejtori teknik Arrigo Saki, i cili e njeh shumë mirë realitetin e futbollit në Serinë A, do të tentojë të bëjë ofertën e parë, drejtuar klubit juventin për brazilianin Emerson. Ky i fundit ka qenë një nga lojtarët më të kërkuar nga Fabio Kapelo, gjatë merkatos së sezonit të kaluar. Megjithatë problemi qëndron në faktin se ditët e fundit, presidenti i klubit bardhezi, Grande Stivens, është i detyruar të nxjerrë në shitje disa nga lojtarët më të rëndësishëm, për të fituar paratë që mungojnë tashmë te Juventusi. Nga ana tjetër, madrilenët kanë fiksuar edhe objektivin e parë spanjoll për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Serxho Ramosh, yllin e ri 19-vjeçar të Seviljes, i cili është vlerësuar edhe si një talent i madh për futbollin spanjoll. Mesfushori me tipare mbrojtëse i ka shënuar një gol Real Madridit, me anë të një goditjeje dënimi, gjatë takimit të fundit që këto dy skuadra kanë zhvilluar në kampionatin vendas. Ky gol i ka kushtuar madrilenëve titullin kampion, të cilit i është gëzuar Barcelona. Por, ndërkaq presidenti i klubit të Seviljes, Serxhio Ramosh, ka deklaruar se 19-vjeçari do të largohet, vetëm nëse ofrohet shifra marramendëse e 27 milionë eurove.