Në jetën e përditshme ne e perceptojmë fjalën si hije të realitetit, si reflektim të tij. Më i drejtë do të qe pohimi i kundërt: realiteti është hije e fjalës. Filozofia, në thelb, është filologji e thellë, studim krijues i fjalës.


Bruno SZULC

Thelbi i realitetit është kuptimi. Atë që nuk ka kuptim e quajmë të pavërtetë. Çdo fragment realiteti jeton falë asaj, që pjesëmerr në njëfarë kuptimi universal. Në kozmogonitë e lashta kjo shprehej me sentencën se në fillim ishte fjala.

E paemëruara për ne nuk ekziston. Të quash (emërzosh, pagëzosh) diçka, do të thotë ta përfshish këtë diçka në njëfarë kuptimi universal. Fjala e izoluar, mozaike – është produkt i vonë, rezultat i teknikës. Fjala zanafillore ka qenë një vagulli e turbullt providenciale, që rrotullohej qark kuptimit të dritës e shkëlqimit, ka qenë një tërësi e madhërishme universale. Në kuptimin e rëndomtë të së tashmes, fjala është veçse fragment, rudiment i njëfarë mitologjie të lashtë integrale gjithëvëllimore. Prandaj ekziston në të gjakimi drejt vegjetimit, drejt përmbushjes gjer në plotësinë e kuptimit. Jeta e fjalës ka për natyrë të suspendojë, të tendoset për mijëra lidhje, si trupi i copëtuar i gjarprit të legjendës, copat e të cilit kërkojnë njëra-tjetrën në terr. Organizmi mijëracopash dhe integral i fjalës, rezultoi i shqyer në shprehje të veçanta, tinguj të ligjëratës së zakonshme dhe tashmë në këtë formë të re, e aftësuar për kërkesat praktike, kaloi te ne si organ i të kuptuarit të ndërsjelltë.

Jeta e fjalës, zhvillimet e saj kanë qenë zhvendosur në binarë të rinj, binarët e jetës praktike, të nënshtruara ndaj ligjësive të reja. Por sapo kërkesa praktike në njëfarë mënyre i dobëson rregullat e saj të ngurta, sapo që fjala, e çliruar nga ky detyrim me pahir, gjendet ballas téte-a-tét me veten e vet dhe kthen te ligjësitë e veta, lind një rrjedhë e kundërt, fjala gjakon drejt lidhjeve të lashta, drejt burimit stërgjyshor – eshkun e saj të kthimit te malli për atdheun e parë preletrar ne e quajmë poezi.

Poezia është qarku i shkurtër i kuptimit ndërmjet fjalëve, regjenerimi i beftë i riteve primitive. Duke operuar me fjalën e zakonshme, ne harrojmë që këto janë fragmente historish të lashta e të përjetshme, që mu si barbarët ne i ndërtojmë shtëpitë tona prej copëra skulpturash dhe prej buste hyjsh. Ndër idetë tona nuk gjen as edhe një pjesëzë të vockël, e cila të mos ketë rrjedhur prej mitologjisë – që të mos ketë qenë e transformuar, deformuar, transfiguruar prej mitologjisë.

Funksioni parësor i Frymës të është të rrëfejë përralla, të krijojë “histori”. Forca lëvizëse e shkencës njerëzore është njëmendësia, që në fund të gjurmimit ajo rreh ta gjejë kuptimin përfundimtar të botës. Dhe ajo e kërkon këtë kuptim në ndërtimet e saj artificiale dhe ndër pyje. Por elemntët që shfrytëzon ajo për ndërtime, kanë qenë të shfrytëzuara më përpara, ato rrjedhin prej “historive” të stërharruara dhe të plasaritura.

Poezia i rinjeh këto kuptime të bëra fir, i kthen fjalës vendin e saj, i kombinon ato në bashkëpërkim me kuptimet e qëmotshme. Për poetin fjala, si të thuash, ndërmerret, kujton kuptimin e së vërtetës burimore, lulon dhe me një spontanitet të vetvetishëm zhvillohet, sikundër ia diktojnë asaj ligjet e veta, sërishmi përfton tërësinë e vet. Prandaj çdo lloj poezie është mitologjizim, ajo gjakon në rikrijimin e mitit për mitin.

Mitologjizimi i botës nuk është kryer.

Ky proces veçse qe ndalur nga zhvillimi i shkencës, qe shtmangur në një shtrat tjetër diku përbri, ku gjallon, pa qenë i vetëdijshëm për kuptimin e tij të vërtetë. Por edhe shkenca s’është tjetër gjë, pos ngrehinë miti për mitin, sepse miti tashmë është i ndërkallur në elementët më parësorë dhe se përtej sinoreve të mitit ne, sikur të plasim, nuk dalim dot.

Poezia mbërrin gjer te kuptimi me anë të parandjesisë profetike, deduktueshëm, në bazë të shkurtimeve të mëdha kurajoze dhe përafrimit. Shkenca gjakon po të njëjtën gjë në mënyrë induktive, metodologjikisht, duke përllogaritur gjithë materialin e studimit. Për nga thelbi i çështjes, dhe njëra, dhe tjetra, synojnë drejt së njëjtës gjë. Shpirti njerëzor është i paepshëm në interpretacionin e jetës me ndihmën e miteve, në nxjerrjen e kuptimit të realitetit. Fjala e evidentuar për vetveten gjakon, graviton drejt kuptimit. Kuptimi është po ai element, i cili e tundon njerëzimin në procesin e realitetit. Ai është e dhëna absolute. Atë është e pamundur ta nxjerrësh prej të dhënash të tjera, e pamundur ta shpjegosh se pse diçka paraqitet me kuptim. Procesi i kuptimësimit të botës është i lidhur ngushtë me fjalën. Ligjërimi është organi metafizik i njeriut.

Megjithëkëtë, në rrjedhën e kohës, fjala gangullizohet, ngrin, pushon së qeni përcjellëse e kuptimeve të reja. Pra, ajo ia kthen fjalës përcjellshmërinë falë qarqeve (cirkuiteve) të reja, të cilat lindin nga kombinimet e tyre. Simbolet matematike janë thelbi i zgjerimit të fjalëve drejt kufijve të rinj. Piktura (tablloja) është gjithaq reproduksion i fjalës primitive, e cila nuk ishte ende shenjë, por mit, histori, kuptim.

Në jetën e përditshme ne e perceptojmë fjalën si hije të realitetit, si reflektim të tij. Më i drejtë do të qe pohimi i kundërt: realiteti është hije e fjalës. Filozofia, në thelb, është filologji e thellë, studim krijues i fjalës.

Përktheu Agron Tufa





24 Mars 2009