Betejat kulturore të zhvilluara me anë të humorit. Ata vranë një mënyrë të menduari. Charlie Hebdo.

Kati i poshtëm i redaksisë së gazetës, gjendet tek nr.10 në rrugën "Nicolas-Appert", një aks i ngushtë dhe i shkurtër në distriktin e XI të Parisit, vetëm pak hapa larg nga Bastija. Prej vitit 2012, ishte selia veçanërsht anonime dhe e veçuar e "Charlie Hebdo", e vetëpërcaktuar si një "gazetë e papërgjegjshme", një etikim ky që ndershmërisht, ishte shënuar me të kuqe dhe të bardhë poshtë logos sës gazetës.

Ndoshta e papërgjegjshme, por sigurisht jo e pandërgjegjshme për rreziqet ndaj të cilave ishte ekspozuar vitet e fundit, me kryqezatën kokëfortë laike, kundër të gjitha fanatizmave fetare.

"Sapo është shfarosur, një mënyrë e të menduarit" - u shpreh mes lotëve, ish-drejtori i gazetës, Filip Val.

Por, mbi të gjitha një mënyrë për të mbrojtur, përmes së qeshurës, lirinë e mendimit. E megjithatë asgjë dhe askush, dukej se qe në gjendje të ndalte dallgën e përjavshme, të një sarkazme të egër, disa herë paksa vulgare, por pa dyshim të pavarur: "Një thertore e vertetë" - pohoi Val, vetëm pak çaste, pasi shkoi në vendin e masakrës, që vrau kolegët e tij.

"Isha atje. Ka gjak kudo, ata nuk kishin asnjë mundësi të largoheshin. Nuk i kanë bërë kurkujt asgjë të keqe, ishin thjesht mbrojtës të lirisë. Tashmë nuk mund të flasin më kurrë".

Heshtja, habia dhe tronditja e madhe psikologjike, përfshiu shtëpinë e fundit të "Charlie Hebdo".

E përjavshmja, që në vitin 2002, kishte dalë në mbështetje të gazetares italiane Oriana Falaçi, me rastin e publikimit në Francë të librit të saj "Zemërim dhe krenari", kishte marrë prej kohësh akuza se ishte islamofobe, por edhe antisemite.

Kjo e fundit ndodhi në vitin 2008. Revista, që në atë kohë drejtohej nga Val, ishte ndarë me dhimbje ngë njëri prej bashkëpunëtorëve të saj më të njohur, karikaturisti Moris Sine, i njohur më mirë me pseudonimin "Sine". Ky i fundit u akuzua për antisemitizëm nga "Nouvel Observateur" (Vëzhguesi i ri), për shkak të një dëshire të zjarrtë për konvertimin e Zhan Sarkozisë, djalit të presidentit të atëhershëm të vendit që kishte për qëllim të martohej me një grua me origjinë hebreje.

Bota gazetare ishte ndarë në pro dhe kundra Sinesë, sot 86-vjeç. Si pasojë e debateve të shumta, Sine i dha fund bashkëpunimit me gazetën. Në vitin 2009, Charlie (emër i zgjedhur në nder të revistës satirike amerikane "Charlie Brown", sikurse edhe është psh. "Linus" në Itali), pas 17 vjetësh, ndërroi drejtues.

Në krye mbërriti 40-vjeçari Stefan Sharbonie, që gjithashtu njihet më tepër me nofkën 'Charb'. Agresiv dhe i vendosur, pas vetëm 2 vitesh përfundoi i shoqëruar me eskortë, pas publikimit të disa karikaturave të debatueshme mbi profetin Muhamed. Truproja e tij humbi jetën së bashku me të, një ditë më parë, ndërsa truprojat e caktuara për karikaturistët e tjerë të njohur, u ishin hequr kohët e fundit.

"Charlie Hebdo", nuk dukej se ishte më në shenjestrën kryesore të fanatikëve fetarë.

Nuk ishte asnjë makinë policie që ruante godinën. Në pallatet ngjitur, jo të gjithë e dinin se ishin bërë fqinjë me gazetën e famshme satirike franceze. Redaksia ishte zhvendosur atje, vetëm pak kohë pas atentatit në nëntor të vitit 2011, kur ambjentet e dikurshme të saj u dogjën dhe shkatërruan.

Vetëm një tabelë e vogël në hyrje të godinës tregon vendndodhjen e redaksisë. Asnjë gjurmë tjetër.

Pas dritareve, në dhomat ku policia shkencore përpiqej të orientohej brenda asaj "thertoreje", shfaqen tavolinat e punës, libraria, mobilimi i gazetës së themeluar në vitin 1970 nga shkrimtari satirist italo-francez, Fransua Kavana. I njohur mbi të gjitha "për riprerjet e tij", duke rimarrë në këtë mënyrë, një përcaktim të bujshëm për emigrantët italianë në Francë, Kavana ndërroi jetë një vit më parë në 29 janar.

Mbledhja e redaksisë së të përjavshmes kishte filluar në një atmosferë të qetë, aty rreth orës 10.00 të paradites së mërkurë, në katin e tretë të ndërtesës. Mbi tavolinë ndodheshin disa kopje të numrit më të fundit, që sapo ishte dërguar në treg (dhe që dje ishte thuajse e pamundur që blihej një kopje), nr. 1177, me kopertinën e ndezur të regjizorit dhe poetit kontroversal, Mishel Ulebek, veshur si magjistar, shënjestra e fundit e ironisë së karikaturistit Renald Luzie, i njohur shkurtimisht si "Luz".

"Në vitin 2015, do të humbas dhëmbët. Ndërsa në vitin 2022, do të mbaj Ramazan"- janë fjalët që Luz vë në gojën e autorit të librit "Nënshtrimi". Romani, që flet për të ardhmen islamike të republikës franceze, është publikuar edhe në Itali.

Deri në orën 11.30 të paradites, e mërkura ishte një e mërkurë e zakonshme për Sharb-in, Stefan Sharbonie, 47 vjeç, drejtor i gazetës prej më shumë se 5 vjetësh dhe për stafin e tij të karikaturistëve dhe komentatorëve, të mbledhur për të diskutuar për numrin e ardhshëm. E mërkura, është zakonisht dita kur redaksia është më e populluar se zakonisht. Ditët e tjera - thotë një redaktore, ambientët janë thuajse të boshatisura.

Të mërkurën, në redaksi ndodheshin shumë prej figurave më të njohura: 80-vjeçari Zhorzh Uolinski, Zhan Kabu, Bernar Verlak që firmoste karikaturat e tij me nofkën "Tignous", si dhe një prej shtyllave kryesore të "Charlie Hebdo", ekonomisti i njohur Bernar Mari, njëherazi bashkëpronar i gazetës.

Editoriali i tij i fundit, në faqen 3 të gazetës titullohej në mënyrë provokuese "Dominimi", sigurisht duke iu referuar librit të Ulebekut, që i kishte dedikuar një tjetër shkrim kritik, në një rubrikë në brendësi të gazetës.

"Kur thuhet se duhet feja, për të mos kryer akte të këqija - shkruante ai - mendohet në të vërtetë se duhet policia, çka nuk është e njëjta gjë. Provoni të zhdukni policinë në një ditë, dhe do të shihni se frika ndaj Zotit, nuk do të pengojë njerëzit të ndërmarrin akte të dhunshme". Në një pusullë, që mund të pritet dhe ngjitet diku, ai ftonte lexuesit: "Shpëtoni Charlien".

Një tekst prekës, i lexuar sot: "Të dashur lexuese dhe lexues, i gjithë ekipi ju thotë faleminderit. Falë jush, "Charlie Hebdo", do t'ia hedhë edhe këtij dimri! Gati 200 mijë që na dhuruat në pak muaj, na japin pak frymëmarrje... Kemi ende shumë projekte për të realizuar, si dhe për të pëmirësuar edhe më shumë gazetën, që është e juaja. Vazhdoni të na mbështesni me çdo mënyrë. Lufta vazhdon...".

Për të konfirmuar këtë mbështetje, të mërkurën mbi 35 mijë qytetarë vërshuan rrugëve të Parisit, ndërsa 100 mijë të tjerë në gjithë Francën. / Mssaggero/ politiko