Opinioni publik po ndjek me vëmendje përgatitjet për kremtimin e njëqind vjetorit të pavarësisë, ngjarjes dhe arritjes më të madhe për kombin shqiptar, e në këtë kuadër dhe aktivitetet në fushën e historisë, siç janë dhe ngritja në Tiranë e Monumentit të Pavarësisë dhe e shtatoreve për disa figura që lidhen me këtë ngjarje, simpoziumet shkencore që po përgatiten, e në mënyrë të veçantë trajtimin që po u bëhet me këtë rast figurave historike të pavarësisë, etj. Për të gjitha këto, ka patur reagime, debate e prononcime nga historianë, nga publicistë, nga politikanë, nga intelektualë të tjerë, çka flet për interesimin që ato kanë zgjuar në opinionin e gjerë. Mesa kam kuptuar unë, në debatet mbi këtë ngjarje është shprehur qysh në fillim një shqetësim i ligjshëm, i përbashkët, i bazuar; mos aktivitetet e parapara në kuadër të njëqind vjetorit të pavarësisë dhe vetë pavarësia po përdoren politikisht, siç e kanë zakon politikanët shqiptarë; mos po përdoret për qëllime të tilla dhe historia e vendit, një fushë që, në çdo rrethanë duhet të mbetet jashtë politikës dhe e pa ndikuar prej saj. Shqetësimi dukej se po përligjej sapo nisi maratona e veprimtarive të parashikuara në kuadër të pavarësisë; me inaugurimin, në fillim të vitit, me tam tame, për të disatën herë, të pavijonit të genocidit; për të vazhduar me përkujtimin e ngjarjeve historike, duke u dhënë atyre ngjyra partiake; me ndërhyrjet e me prononcimet e herëpashershme të kryeministrit për ngjarje e figura të caktuara, në të cilat shfaqen hapur, pa doreza simpatitë për njërin dhe antipatitë për tjetrin, të shoqëruara me kërkesën për rishikimin e rivlerësimin e tyre, sipas shijeve dhe interesave që ka për momentin qeveria. Këto synime të qeverisë janë pasqyruar dhe në vendimet për ngritjen në Tiranë të monumentit të pavarësisë, të shtatoreve për disa figura historike etj, ndaj të cilave ka patur diskutime e reagime në opinionin publik. Le t`i shikojmë ata më konkretisht.
A duhej një monument tjetër për pavarësinë?
Ata që kanë ndjekur përgatitjet për kremtimin e pavarësisë, të paktën përmes shtypit, kanë mundur të konstatojnë se çështja e parë e diskutuar qysh në fillim të vitit, në rrethet intelektuale kryesisht, por jo vetëm në to, ka qenë ajo e Monumentit të Pavarësisë që do të ngrihet në Tiranë; ishte e nevojshme ngritja e tij, kur një monument të tillë e kemi në Vlorë, në vendin ku ka ndodhur kjo ngjarje, ku është vërtetuar ky fakt historik, ku është shpallur pavarësia. Monumenti i ngritur vite më parë në Vlorë mos përmbante elementë që koha, jeta i kishte kapërcyer, që e bënin kështu të domosdoshëm ngritjen e një tjetri, pavarësisht kostos financiare, përballimi i së cilës sigurisht nuk është dhe aq i lehtë për një vend me njëmijë halle e probleme? Unë mendoj se jo. Mos kjo po bëhej për të ulur vlerat e monumentit në Vlorë dhe të vetë Vlorës, për t`u bërë karshillëk e për t`i nxjerrë ata në plan të dytë; e me këtë sebep për të mënjanuar Vlorën nga aktivitetet që tradicionalisht janë zhvilluar në këtë qytet, për t`i spostuar e përqendruar ato në Tiranë? Kjo dhe mund të diskutohet, pasi disa qëndrime të qeverisë ta krijojnë këtë përshtypje. Megjithatë, kjo mbetet për t`u parë më mirë në vazhdim, duke ndjekur veprimet e mëtejshme të saj.
Gjithsesi, duhet theksuar se Monumenti i ngritur në Vlorë, i qëndron edhe sot kohës. Në të pasqyrohet denjësisht kjo ngjarje, në të gjitha pamjet, elementët e komponentët e saj, me protagonistët, patriotët e mëdhenj nga Shqipëria e nga Kosova, të cilëve u printe plaku i urtë i Vlorës, por dhe me Vlorën e me qytetarët e saj, që patën fatin dhe nderin që ta përjetojnë momentin e ngritjes së flamurit dhe shpalljen e pavarësisë në një mënyrë disi të veçantë, jo vetëm si dëshmitarë okularë në një ngjarje të tillë fatlume për kombin shqiptar, por dhe si kontribuues në të gjithë veprimtaritë e zhvilluara në kuadër të saj. Në këtë mënyrë, Vlora, si vendi ku u mbajt kuvendi historik që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, vendi ku u hodhën themelet e shtetit shqiptar të pavarur, i dha kësaj ngjarjeje dhe vlerat e veta, e kësisoj dhe emrin e vet, siç i dha Lezha Kuvendit historik të njohur tashmë me emrin e saj, siç i dha dhe Prizreni emrin e vet Lidhjes së famshme Shqiptare të krijuar aty. Në këtë vështrim, mund të thuhet me plot gojë se Pavarësia dhe Vlora janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën dhe monumenti i vendosur aty e shpreh më së miri këtë lidhje. Pavarësia, Monumenti dhe Vlora, vendi i shpalljes së pavarësisë, janë pjesë e një realiteti të jetuar, e jo të sajuar, për rrjedhojë ato nuk mund të kuptohen të shkëputur nga njëri-tjetri; ata nuk mund të anashkalohen, atyre nuk mund t`u bëhet karshillëk, pasi janë shkruar me gërma të arta në historinë kombëtare, janë shndërruar si të thuash në "mit", në "simbol" kombëtar. Dhe Vlora e 1912-ës dhe e 1920-ës, Vlora e Luftës Nacional-çlirimtare meriton një vlerësim e një nderim të tillë, nga i gjithë vendi e nga i gjithë kombi shqiptar.
Atëherë, e cënon këtë fakt ngritja e një monumenti tjetër në Tiranë, ishte pra i nevojshëm ngritja e tij? E shtruar në këtë mënyrë, sidomos në ambientin tonë të politizuar, një pyetje e tillë nuk ka dyshim se do të merrte përgjigje të ndryshme, pro dhe kundra, duke ofruar për secilën zgjidhje argumentet përkatëse. Por, gjithsesi nuk mund të biesh dakord me një mendim të shfaqur në shtyp, se mund të ketë jo një, por disa monumente kushtuar kësaj ngjarjeje, pra shpalljes së pavarësisë, siç ka dhe për ushtarin e panjohur. Nuk besoj se duhen njohuri të gjëra historike për të pranuar se një mendim e një krahasim i tillë nuk qëndron; krahasimi në këtë rast, madje në asnjë rast nuk shkon, nuk vlen, pasi rasti rastit nuk i ngjan dhe çdo ngjarje ka specifikat, veçoritë e përmasat e veta, që sigurisht duan dhe trajtim të veçantë, në përputhje me to. Të rënët për liri janë shumë, ka kudo, në çdo anë e në çdo cep të atdheut dhe monumenti i ushtarit të panjohur, që simbolizon e nderon aktin e tyre sublim, mund të vendoset kudo. Kurse pavarësia është një ngjarje unikale, e pa përsëritshme dhe e pa krahasueshme me asnjë tjetër dhe monumenti që i kushtohet asaj, monumenti i pavarësisë, si rregull, vendoset në vendin ku ka ndodhur kjo ngjarje, ku është vërtetuar ky fakt historik, ku është shpallur pavarësia; kurse në qytetet e tjera të vendit ngrihen, dhe në fakt janë ngritur, madje dhe në Tiranë, pllaka përkujtimore apo krijime të tjera arti, në të cilat janë fiksuar datat e ngritjes së flamurit në qytetet respektive, para ose pas vendimit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, në mbështetje të këtij akti historik. Nuk ka dyshim se ata që kanë vendosur ngritjen e një monumenti tjetër në Tiranë, e kanë parë këtë çështje dhe në plane e interesa të tjera, sigurisht dhe politike. Sidoqoftë, kjo tani nuk ka rëndësi, kjo fazë është kapërcyer, pasi punët kanë avancuar, siç avancohen e siç bëhen tek ne dhe autorët e caktuar (se konkurrim të vërtetë nuk besoj të ketë patur, përderisa në to përzihet politika) po punojnë për realizimin e veprës dhe ne, nuk na mbetet tjetër, veçse të shpresojmë që ajo të mbështetet në kriteret e duhura, jo vetëm artistike, por dhe historike e kësisoj të pasqyrojë në mënyrë objektive faktorët shoqëror, historik e kulturor që lidhen me këtë ngjarje të madhe për kombin shqiptar.
(vijon në numrin e nesërm)