27/03/2005  TIRANË- Ministria e Rendit Publik dhe Policia e Shtetit marrin masa për të përballuar fluksin në rritje të emigrantëve që kanë filluar të kthehen në atdhe për festën e Pashkëve. Zëdhënësi i dikasterit blu, Florion Serjani, tha dje në një njoftim për shtyp se për këtë qëllim, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është hartuar dhe ka filluar të zbatohet një plan masash i detajuar. Policia Kufitare ka shtuar personelin aktiv në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar kabinat e kontrollit të dokumentacionit si dhe po bëhet kujdes për përshpejtimin e procedurave burokratike, me qëllim lehtësimin e kalimit të emigrantëve që kthehen në atdhe. Ndërkaq, strukturat e Policisë së Rendit, Policisë Kriminale dhe veçanërisht ato të Qarkullimit Rrugor, kanë marrë masa për të forcuar sigurinë në pikat e kalimit kufitar dhe në akset rrugore, nga do të kalojnë emigrantët. Ministria e Rendit Publik është informuar tashmë nga Ministria e Brendshme italiane se, emigrantët shqiptarë të pajisur me “ricevuta” (vërtetimi i aplikimit për dokumentacionin e ri) do të lejohen të kthehen në vendin e tyre për festuar Pashkët, deri në fund të muajit prill.