13-08-2011 / Nga Sejdi Peka

Jeta është ndërtuar e tillë që edhe burrat e mëdhenj vdesin. Por nuk vdes lavdia e tyre. Me 9 Gusht 2011, pushoi së rrahuri në Uashigton D.C.zemra e Hysen Biberajt. Është një humbje e madhe për diasporën shqiptare në Amerikë, por është ndjerë dhimbja edhe këtu në Shqipëri, në Kosovë e veçanërisht në Malësinë e Gjakovës që gjithnjë ka lindur burra që i kanë bërë nder këtij vendi të vuajtur dhe kanë shkruar faqe të lavdishme të historisë tonë kombëtare. Natyrshëm dhimbjen e madhe e ka familja e tij, djemtë, vajzat e nipat që Hyseni i rriti rrugëve të gurbetit me shumë mund dhe sakrifica, i përndjekur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. U dha shkollë dhe i edukoi që asnjëherë të mos e harrojnë Shqipërinë, vendin për të cilin Hyseni kishte sakrifikuar aq shumë. Edhe ata, këtë mund të Hysenit ia shpërblyen me virtytet e larta të njerëzve që rrjedhin nga familje fisnike dhe janë dalluar në një vend të madh si Amerika, në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe politikës. Hyseni ishte një patriot i madh, një burrë i zgjuar e i guximshëm që shumë rrallë i lindin Malësisë së Gjakovës.
Kam qenë pothuajse fëmijë kur nga xhaxhai im, që ishte një antikomunist i lindur, kam dëgjuar emrin e Hysen Biberajt. “Kam dëgjuar se në festën lokale dy trimat e Malsisë së Gjakovës i kan parë tek Ura e Shoshanit dhe sigurimi nuk ka mundë me jau nisë pushkën” më tregonte xhaxhai, duke evokuar guximin dhe trimërinë e dy djemve të Kadri Sokolit. Emrat e tyre ishin kthyer në shpresën e njerëzve se regjimi barbar komunist do të përmbysej. Ata shumë shpejt u kthyen në legjendën e rezistencës antikomuniste.
Hysen Biberajn e kam njohur për herë të parë në Tropojë në vitin 1995. Në atë kohë unë isha i ngarkuar me detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë në Bajram Curri dhe e kam pritur dhe nderuar me shum respekt. Në Tropojë Hyseni kishte shum miq. Në “Hotel Turizmi” priste dhe përcillte njerëz që vinin ta takonin përgjatë të gjitha ditëve të verës që kalonte çdo vit në Tropojë. Ai lumturohej me pamjen e bjeshkëve dhe i gëzohej demokracisë në këtë vend të vuajtur nga regjimi komunist. Kishte shumë dëshirë të vizitonte “Grykën e Valbonës”. Sa herë e shoqëroja me dëshirë. Një ditë u ndalëm në një vend piktoreks dhe Hyseni po shikonte në një faqe mali dhe ishte mjaft i çuditur se si ka qenë e mundur të shkruanin emrin e diktatorit në një shkëmb që vetëm zogjtë e malit mund të ngjiteshin. Dhe filluam të gjuanim në shenjë germën e mesit të emrit, shkronjën V. Gjithnjë shumë modest dhe fjalëpak na tha: “Mos qeshni me mue, se ka shumë vite që nuk e kam prekë pushkën me dorë”. Filloj të gjuante ashtu si i thonë “në këmbë e në dorë” dhe u habita se nuk kisha parë asnjëherë një pushkatarë të tillë ku të gjithë plumbat i binin pothuajse në një vend. Shumë shpejt shkronja e mesit të emrit të diktatorit u shua sikur mos të kishte qenë kurrë dhe u kthye në një njollë të murrme.
Hyseni ka lindur në vitin 1925, në një familje të dëgjuar me tradita të spikatura atdhetare dhe patriotike në Shoshaj të Tropojës. Babai i tij Kadri Sokoli ka qenë një burrë fisnik dhe gjithnjë një pushkë e mbushur për Shqipërinë kundër agresorëve sllavë sa herë nderi i Atdheut e ka thirrur në fushën e betejës. Lindi dy djem, Nimanin dhe Hysenin që u rritën në brigjet e Valbonës, të edukuar gjithnjë me dashuri të madhe për Atdheun. Në luftën e Dytë Botërore, të gatshëm për të derdhur edhe gjakun për Kosovën dhe bashkimin kombëtar, dy djemtë e rinj u rreshtuan në fillim në Brigadat Partizane që kishin hyrë në Kosovë, por shumë shpejt kuptuan tradhtinë e Enver Hoxhës dhe bashkëpunimin me sllavo komunistët për ta shitur Kosovën në emër të “internacionalizmit proletar”. Ata kishin parë me sytë e tyre masakrat kundër popullit të Kosovës, që i gjallë nuk po i nënshtrohej pushtimit serb. Në shenjë revolte dezertuan nga formacionet ushtarake duke u kthyer në Tropojë, por komunistët që kishin marrë pushtetin i kishin halë në sy  patriotët. Ata burgosën Nimanin për disa vite në burgun-skëterrë të Burrelit, ku u dallua në mes të shokëve të vuajtjeve dhe të idealit për guximin, burrërinë dhe fisnikërinë e një njeriu sypatrembur. U jepte zemër bashkëvuajtësve të tij se liria do të vinte një ditë edhe për Shqipërinë dhe sakrifica në emër të lirisë ishte detyrë për shqiptarët e ndershëm. Ndërkohë Hyseni po bashkëpunonte me çetat nacionaliste që vepronin në Shqipëri e në Kosovë, duke kundërshtuar vendosjen e regjimit komunist. Ishte miku më i ngushtë i Tahir Hoxhës, Muharrem Bajraktarit, Iljaz Pekës, etj. Sapo Nimani u lirua nga burgu i Burrelit në vitin 1952, menjëherë familja Biberaj u detyrua të arratisej në Jugosllavi për t’i shpëtuar terrorit komunist. U vendosën në Plavë të Malit të Zi. U dalluan në atë krahinë me popullsi shqiptare si njerëz punëtorë dhe shumë shpejt u bënë pronarë tokash dhe me një pasuri të konsiderueshme. Por regjimi komunist sllav po bashkëpunonte me ish-sigurimin komunist të Enver Hoxhës dhe i vendosi në grykën e pushkës dy trimat e Malësisë së Gjakovës. UDB-ja jugosllave, në përpjekje për t’i përdorur “si mish për top” për t’i dërguar në grykën e pushkës të ish sigurimit të Enver Hoxhës, ushtroi presion të jashtëzakonshëm kundër tyre. Edhe njëherë tjetër në vitin 1962, trimat e Malësisë së Gjakovës u detyruan të emigronin. Këtë radhë Amerika, shembulli i demokracisë në të gjithë botën u hapi e një jete të qetë. Por Hyseni nuk e harroi kurrë Shqipërinë. Ka kontribuar me devocion të jashtëzakonshëm në organizatat patriotike të shqiptarëve të Amerikës. Ka ngritur zërin fuqishëm në përkrahje të përpjekjeve të pareshtura për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Gëzonte respektin e të gjithë emigracionit politik shqiptarë në Amerikë dhe në Europën Përëndimore. Ishte miku më i ngushtë i Dr.Prof.Rexhep Krasniqit, që ka qenë nga viti 1956-1992 Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me atributet e një qeverie provizore në mërgim, me përkrahjen morale dhe financiare të qeverisë amerikane.
Edhe unë personalisht kam humbur mikun tim më të mirë. Kujtoj me nostalgji se kam qenë në Tropojë në vitin 1995, kur më erdhi një zarf me postën e zakonshme me adresën e Hysenit. E hapa me kureshtje dhe lexova një letër me një shkrim të qartë të një kaligrafie të admirueshme. “Jeni i ftuar të vini në Amerikë si mik i imi dhe i Dr.Krasniqit. Ju presim sa më parë në respekt të Iljaz Pekës, babajt tuaj të ndjerë dhe mikut tonë të paharruar”. Në letër ishte edhe bileta e avionit për në New-York. Për sa ditë që qëndrova në Amerikë si mik i këtij patrioti të madh, nuk do të harroj kurrë edhe shoqërinë e Dr.Krasniqit, Imamit të New-Yorkut Isa Hoxha, Idriz Lamajt gazetar dhe spiker i “Zërit të Amerikës”, Abedin Mulosmanit e shumë patriotëve të tjerë të emigracionit politik shqiptarë në Amerikë. Me këtë rast u dërgoj nëpërmjet këtij shkrimi ngushëllimet e mia të gjithë familjes së Hysen Biberajt, me krenari në breza ta kujtojnë. Ngushëllime për të gjithë miqtë e shumtë të Hysen Biberaj në Amerikë dhe në Europën Perëndimore. Duket se këto ditë po e qajnë edhe bjeshkët e Tropojës burrin sypatrembur, patriotin e spikatur të luftës për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.

...