Tre objekte kulti të besimit islam nisin së shpejti të restaurohen në Berat, konkretisht xhamia Mbret, Xhamia e Beqarëve dhe Teqeja Helvetive. Në mbledhjen e radhës së qeverisë zhvillluar në Berat, kryeministri Rama shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, koordinatori i TKA në Tiranë, Necip Özay Özütok, si dhe drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani, u ndalën në xhaminë Mbret në Berat, ku inspektuan dhe morën informacion






























rreth punimeve të restaurimit.


 


 


Gjatë vitit 2018 nis zbatimi i disa projekteve të restaurimit, investime të rëndësishme, në tre prej objekteve të kultit në Berat: 1. Projekt restaurimi i Xhamisë Mbret, 2. Projekt restaurimi i Xhamisë së Beqarëve 3. Projekt restaurimi i Teqesë Helvetive,


Ky projekt realizohet nga IMK, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA. Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX.Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare.


Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret ka si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: – Konsolidimin strukturor të monumentit – Restaurimin e çatisë – Çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale – Konservimin dhe restaurimin e piktures murale – Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj. – Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes. Projekti trajton Xhaminë Mbret dhe Teqenë Helvetive si pjesë e një kompleksi duke i dhënë shumë rëndësi përfshirjes së punimeve për sistemimin dhe vlerësimin e territorit.


Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: – Konsolidimin strukturor të monumentit – Restaurimin e çatisë – Punime konservuese dhe restauruese të pikturave murale dhe të pikturave në strukturën drusore të mafilit – Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavani, mafili etj. – Restaurimin e dritareve me elementë gipsi dhe xham me ngjyrë – Instalimi i sistemit elektrikdhe sistemit të ngrohjes. 3. Xhamia e Beqarëve është ndërtuar nga i biri i Ibrahim Pashë Vlorës, Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827. Xhamisë i janë bërë ndërhyrje pas Luftës së Dytë Botërore në vitet 40 dhe 50, ndërsa në vitet 1968 dhe 1978, xhamia i është nënshtruar ndërhyrjeve të thella restauruese. Projekti i restaurimit mbështetet mbi një analizë të thellë historike dhe arkitektonike duke shfrytëzuar gjithë materialet arkivorë dhe bibliografinë mbi këtë monument.


Veçantia e këtij monumenti janë pikturat murale në fasadë që datojnë në të njëjtën periudhe me ndërtimin e vetë objektit. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: – Konsolidimin strukturor të monumentit – Restaurimin e çatisë – Punime konservuese/restauruese të pikturave murale në ambientet e brendshme dhe fasadë – Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë – Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.


Një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe z. Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi, që parashikon 5 Monumente kulture të besimit islam t’i nënshtrohen ndërhyrjes restauruese.


27 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)