Revista-SarasBallsor Hoxha


Revista letrare është për të krijuar opinion. Jo për të vlerësuar dhe as për të gjykuar, por  për të udhëzuar rrjedhat dhe trafikun e letërsisë edhe botërore edhe asaj shqiptare. Dhe kjo nuk arrihet vetëm me përpjekjen e përbashkët të shkrimtarëve, kritikëve, studiuesve, botuesve dhe sigurisht të lexuesve. Kur kam bërë interpretimin e romanit të Albatros Rexhajt, me titull Sikur tisha zonja Z., miqtë e mi studiues, kritikë e letrarë serioz, më kishin kritikuar pse po merresha me një hiç të letërsisë. Por për mua ishte shumë me rëndësi kjo gjë. Pavarësisht teknikës, etj., sipas çfarëdo parametri, kjo letërsi, kjo vepër po bënte atë që nuk e arrin as Ismail Kadare më. Dhe pikërisht për këtë shkak përpjekja ime ka qenë që të krijoj një opinion rreth saj, sigurisht që jo një opinion gjithëpërfshirës dhe të përhershëm, por së paku edhe jo nënçmues, poshtërues e denigrues siç ishte bërë ndaj po të njëjtës vepër. Ishte hera e parë pas komunizmit dhe socializmit në Kosovë dhe Shqipëri që një vepër po arrinte lexueshmëri të pakrahasueshme me asnjë vepër tjetër, dhe mungonte qoftë edhe një opinion i sinqertë rreth saj. Është pikërisht kjo, mendoj unë, që duhet të bëjë revista letrare, pra të krijoj opinion, apo thënë më mirë të qarkulloj opinion. Kam në shtëpi numra të revistës letrare të “Jeta e re” nga vitet e shtatëdhjeta. Brenda tyre ka përkthime të Tolstoit, të Balzakut etj. Kur i shikoj asocimi  i parë është se janë të vlefshme, të çmueshme dhe të rëndësishme pa ndonjë masë të matshme. Mirëpo kur filloj të lexoj, për një kohë të shkurtë më bëhen të tepërta, të parëndësishme dhe të pavlefshme. Janë një prodhim teksti, letre dhe përmbajtje, por të gjitha të kota. Më kujtohet gjithashtu edhe herën e parë kur e kam marrë në dorë revistën letrare “Mehr Licht”! Ka qenë si të kisha gjetur thesarin e Tom Sawyer-it. Për herë të parë po lexoja pjesën për Madelenat e famshme të Prustit, sigurisht me vonesë po i lexoja të dyja, edhe “Mehr Lich”-tin edhe Madelenat e Prustit, por gjithsesi ishte gjëja më e bukur. Besoj pikërisht kjo që më kishte ndodhur mua me “Mehr Licht”! I ka ndodhur secilit lexues, kur e kanë hapur numrin e ri të revistës letrare “Jeta e re”. Për herë të parë lexuesit kanë lexuar në shqip (duhet cekur sepse kosovarët të shumtën e letërsisë botërore e kanë lexuar në serbo-kroatishte), kanë lexuar Tolstoin dhe Ana Kareninën dhe të tjera. Tani në Shqipëri dhe Kosovë janë disa revista letrare, dhe statistikisht, ndoshta botohen më shumë revista letrare se sa poezi e prozë së bashku. Duke filluar prej “Jeta e re” e Kosovës e deri te Traduki (projekt austriak), secila ka projektin e saj. Është për shembull edhe revista “Simbol”, pastaj edhe shtojcat e kulturës në Kosovës e Shqipëri, që shërbejnë si gjysmë revista dhe gjysmë informative lidhur me kulturën në përgjithësi. Revista letrare, për dallim prej revistave informative etj., ka një mundësi tejet të bukur: grumbullimit të shkrimtarëve, kritikëve, studiuesve, botuesve dhe lexuesve në një pikë përqendrimi letrar. Në anën tjetër ajo që u mungon këtyre revistave që u përmendën më lart është, së pari projekti apo plani, pastaj përqendrimi dhe në fund komunikimi me lexuesit. P.sh. Para një kohe kisha ofruar përkthimin e tregimeve të tregimtarit sigurisht më të shquar amerikan, Raymond Carver, isha refuzuar sepse, sipas redaktorëve askush nuk e njihte këtë shkrimtar. Pastaj kisha ofruar përkthimin e shkrimtarit, po ashtu amerikan, David Foster Wallace, po ashtu isha refuzuar sepse ishte i panjohur.  Në një revistë tjetër kosovare kisha ofruar një shkrim eseistik, kisha bërë një asocim tejet origjinal dhe të rëndësishëm, e krahasoja përpjekjen dhe mbijetimin e gjeneratës së vjetër të kosovarëve me gjuhën e Jazz-it, ishte sigurisht eseja më e arrirë, së paku në përpjekjen e saj, për të interpretuar në mënyrë letrare një gjë mjaft interesante. Por isha refuzuar duke qenë i këshilluar që të shkruaja vetëm për Jazz-in, dhe e kisha bërë këtë, por ma kishin ndërruar renditjen, e cila ishte një prej shtyllave kryesore të shkrimit, që do të thotë redaktori i cili e kishte bërë këtë ndërrim nuk e kishte kuptuar fare shkrimin (apo ndoshta e kishte gjymtuar shkrimin vetvetiu, me ose pa vetëdije). Pastaj në një moment kur shpresoja të tërheqë vëmendjen për studimet që i kam bërë për shkrimtarin Kadare, kisha dërguar për botim një  prej studimeve në një prej shtojcave të kulturës në një prej gazetave kryesore të Shqipërisë. Studimi, jo që nuk ishte lekturuar (njerëz jemi e edhe kompjuteri gabon) por nuk ishin vërejtur as gabimet si: fjala shtjellë, ishte shndërruar nga programi drejtshkrimor shqip në fjalën kështjellë, etj. Pikërisht kur kisha shpresuar për një njohtim me audiencën e Shqipërisë në lidhje me studimet e mia për Kadarenë, isha prezantuar nga gazeta në mënyrën më të keqe të mundshme. Teksti im kurrë as nuk ishte lexuar nga redaktorët. Revista letrare për mua është një rreth-rrotullues i qarkullimit të letërsisë, dhe arteve e kulturës në përgjithësi. Ajo duhet të krijojë inercion në të gjithë të interesuarit për dhe lidhur me letërsinë dhe po ashtu të kontribuojë në, filtrimin/kategorizimin e saj, dhe në qarkullimin e saj po ashtu.


Ka dy mundësi të zhvillimit të revistës letrare: ajo e paracaktimit të planit, projektit dhe fushës së interesit; e dyta është ajo e një përpjekjeje të përbashkët ndërmjet të të gjitha palëve: prej lexuesve e deri te shkrimtarët, studiuesit dhe botuesit. Mendoj se rruga ime në njohjen dhe të njohurit e universit letrar të Kosovës dhe Shqipërisë është përshkrimi më i mirë i mungesës së opinionit në shoqëritë shqiptare, një opinion i cili udhëzon. Me përfundimin e tre librave (prozë dhe poezi) kisha filluar të kontaktoj shtëpitë botuese në Shqipëri (mendoja se këto janë më serioze në punën e tyre), por asnjëherë nuk kisha marrë një përgjigje, përpos nga Bujar Hudhri i “Onufri”, (megjithëse nuk kishim arritur të ndërlidheshim në përpjekjen tonë të përbashkët). Pastaj kisha botuar në Kosovë, këtu çdokush mund dhe boton çdo gjë derisa mund të paguajë. Megjithëse shkruaj tërë jetën time, 9 vitet që prej se tentoj të botoj, kam botuar dy libra (një me poezi dhe një me tregime). Dhe megjithëse kanë marrë vlerësime tejet të larta (gjithsesi private) kurrë asnjë lexues i zakonshëm nuk ka dëgjuar për ato. E vetmja arsye duke qenë se kurrë nuk ka pasur një shkrim qoftë edhe kundër këtyre librave (apo ato dy-tre që janë shkruar ishin gjëra të dëgjuara dhe të huazuara nga njëri-tjetri, një prej tyre ka pas kopjuar parathënien time personale në librin me tregime, kritik nga Shqipëria). Odiseada ime, ka përfunduar vetëm tani kur revista “Saras” me seriozitetin e përpjekjes së saj ka krijuar një raport bashkëpunimi me mua. Dhe nuk jam vetëm unë, përpjekja e kësaj reviste është duke krijuar inercionin e duhur, rrethrrotullimin e duhur dhe së shpejti, sipas asaj që po punohet, kjo revistë do të arrijë ndërthurjen e një opinioni jo vetëm të besueshëm, por edhe orientues dhe udhëzues të mendimit dhe letërsisë shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe është pikërisht mungesa e një përpjekjeje të përbashkët, një opinioni dhe një pavarësie në të kultivuar të letërsisë ajo që u ka munguar të gjitha revistave letrare deri në revistën “Saras”. Sepse të gjitha kanë pasur një qëllim famën/paranë, apo për “Jeta e re” ka qenë gjithmonë pushteti mbi letërsinë dhe shkrimtarët e lexuesit.