PRISHTINE- Jo çdo gjë në Kosovë shkon mirë me ndërkombëtarët. Në situata të ndjeshme, thuhet se përzihen edhe në mënyrat që nuk lejohen, e për më tepër dëmtojnë kosovarët.
Nuk është Wikileaks, por kësaj radhe është ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi që ka zbuluar një zhvillim interesant në raportet e vendorëve me ndërkombëtarët.
Duke folur për aksionin në veri, që sipas tij planifikimi zgjati dy orë, ministri Rexhepi pati një ankesë tek miqtë ndërkombëtarë.
Arsyetimin e planifikimit të shpejt, Rexhepi e lidhi me dyshimin se dikush po e përgjon. Fjalën e pati për ndërkombëtarët.
Bisedat e mia me kryeministrin Thaçi përgjohen nga ndërkombëtarët, e më pas edhe dekonspirohen. Në të kaluarën ka pasur bashkëpunëtorë nga UNMIK-u që kanë bashkëpunuar me strukturat ilegale. Për këtë arsye është planifikuar shpejt aksioni në veri, ka thënë Rexhepi para Komisionit Parlamentar për Siguri e Punë të Brendshme.
Ai ka folur edhe për situatën e tashme, të cilën e ka vlerësuar si të qetë por të brishtë.
Sa i përket planit pas 16 shtatorit, ai tha se është në finalizim e sipër.
Nga ana tjetër, anëtarët e këtij komisioni parashtruan pyetje të shumta për aksionin në veri dhe situatën aktuale atje. (Indeksonline)