Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se marrëveshja e arritur me Serbinë për vulat doganore dhe kadastrat nuk lidhet me punën operacionale të Policisë Kufitare, ndërkohë që me KFOR-in dhe EULEX-in janë duke u bërë përgatitjet për kthimin e doganierëve dhe policëve kufitarë edhe në pikat 1 dhe 31 në veri.

 


Ai këto komente i ka bërë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së dorëzim-pranimit të gjithë kufirit me Malin e Zi nga KFOR-i tek Policia Kufitare e Kosovës. Me këtë rast, ministri Rexhepi ka thënë se për dërgimin e doganierëve dhe policisë kufitare në veri presin garantimin e sigurisë nga ana e KFOR-it, ndërkohë që ende nuk ka një datë të saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Ai ka shtuar se lidhur me këtë çështje janë duke diskutuar bashkërisht me KFOR-in dhe EULEX-in.


“Fillimisht duhet riparimi i objekteve të shkatërruara në pikën 1 në Jarinje dhe në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in do t`i çojmë sa më parë doganierët dhe Policinë Kufitare, në mënyrë që të fillojë implementimi i marrëveshjes, por duhet të jetë e qartë se Policia Kufitare dhe doganierët e Kosovës do t`i kryejnë detyrat në të gjitha pikat e Kosovës, përfshirë edhe pikat 1 dhe 31 në veri me mbështetjen e policëve dhe doganierëve të EULEX-it”, është shprehur ministri kosovar.