Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, apelon për shmangie të përplasjeve brenda partisë në prag të zgjedhjeve të reja partiake dhe parlamentare. Funksionari i lartë demokrat ka dalë hapur kundër krijimit të klaneve në parti të cilat për shkak të interesave të ngushta, do të dëmtonin PD-në në momentin e zgjedhjeve të reja. Sipas z. Bode, procesi i ristrukturimit të partisë duhet të jetë në funksion të fitores së saj për një mandat të dytë dhe jo interesave të një grupi të ngushtë në parti. Ridvan Bode, në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, ka sinjalizuar të parët anëtarësinë e kryesisë së PD-së, në mbledhjen e fundit që të bëjnë kujdes me një dukuri të tillë, duke u kujtuar atyre se zgjedhjet duhet të jenë normale dhe gjithnjë në funksion të forcimit të PD-së. Bode nuk ka hezituar të flasë dhe me shembuj konkretë, teksa u ka thënë atyre se kohët e fundit, nëpër mjedise të ndryshme të PD-së flitet për grupe apo mbështetje kandidatësh. “Kohët e fundit kam dëgjuar të thuhet që unë do të mbështes këtë apo atë kandidat brenda PD-së. Por unë mendoj se energjitë tona duhet t’i përdorim për zgjedhje normale dhe jo duke tentuar përplasje brenda partisë, të cilat nuk do të ishin të dobishme kurrsesi, aq më shumë në një moment zgjedhjesh”, - është shprehur z. Ridvan Bode. Lideri demokrat, Sali Berisha, duket se e ka miratuar përmes heshtjes shqetësimin e sekretarit të përgjithshëm demokrat, si një sinjal i qartë se interesi i përbashkët i të gjithëve duhet të jetë fitorja në 2009-ës. Gjatë periudhave të ndryshme të këtij mandati qeverisës, brenda partisë në pushtet janë shfaqur herë pas here grupe influencash dhe më të dukshme u bënë pas zgjedhjes së Bamir Topit në krye të shtetit. Në mënyrë të veçantë, grupimet u panë të shfaqen nëpër dreka të ndryshme apo njëanshmëri votimesh në sallën e Kuvendit. Gjithsesi, muajt e fundit u duk se ato u “asgjësuan” pas një kujtese që Kryeministri Berisha u bëri në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se zgjedhjet e reja parlamentare po afrojnë. Frika se mos ata nuk përfshihen në listën e re të PD-së i shumoi, por me frikën se mund të “riorganizohen” sërish, tashmë duke mbështetur njëri-tjetrin në garimin për zgjedhjet brenda partisë. Kuvendi i radhës duhet të zhvillohet sipas statutit në muajin prill, ndërkohë që në qershor janë paralajmëruar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Por nëse përplasjet brenda partisë në pushtet bëhen gjithnjë e më aktive, me afrimin e datës së zgjedhjeve, ekziston mundësia që këto zgjedhje të shtyhen pas atyre parlamentare me qëllim shmangien deri në një kohë të papërcaktuar.