Opera Rigoletto nga Xhuzepe Verdi ngjitet sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo kryevepër verdiane nuk ngjitet për herë të parë në skenën operistike shqiptare, por ky realizim i fundit i saj shënon dhe herën e katërt që ajo do të vijë për spektatorin shqiptar. Me këtë kryevepër verdiane, TKOB premton të sjellë suksesin radhës në skenë





për publikun. Kjo dramë operistike ka njohur më parë tre variante skenike të saj, duke filluar nga viti 1965, në të cilin regjisori Luigj Gurakuqi në bashkëpunim me dirigjentin e njohur Mustafa Krantja e kanë sjellë këtë opera për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë që, Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortët Nina dhe Avni Mula. Ndërkohë një tjetër vënie në skenë e kësaj opere ka qenë ajo e vitit 1994, kësaj here me regji të Nikolin Gurakuqit dhe të tjerë solistë të njohur të TKOB kanë interpretuar në rolet e saj, përkatësisht Marjana Leka nën petkat e Xhildës dhe tenori Adrian Xhema, Agim Duro dhe Ymer Kaçaj, kanë realizuar personazhin e Rigoletos. Viti 2005 do të shënonte edhe 50-vjetorin e kësaj premiere, të cilën kësaj here do ta rikthente në skenë përsëri regjisori Nikolin Gurakuqi. Xhilda u interpretua sërish nga sopranoja e njohur e skenës operistike Marjana Leka, dhe Etleva Golemi, Rigoleto nga baritoni italian Pietro Terranova dhe ai shqiptar Ylber Gjini. Këtë herë të katërt të saj kjo kryevepër verdiane do të vijë me regji të italianit Nicola Zorzi, skenografia dhe kostumet Manuela Gasperoni, dirigjent kori Dritan Lumshi, as/dirigjent Davide Pandini, mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre Vittorio Parisi. Të ftuar do të jenë artistët e huaj Paolo Drigo dhe Nikolay Bykov. Interpretojnë kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB dhe solistët: Armaldo Kllogjeri, Ylber Gjini, Paolo Drigo, Eva Golemi, Ramona Tullumani, Nikolai Bikov, Vikena Kamenica, Manjola Konjari, Lindita Kola, Enkelejda Zepishta, Sokol Hidersha, Luan Sula, Erlind Zeraliu, Pandush Koko, Rezarta Qevani, Ina Gaqi. Kështu, përgjatë datave 20, 21, 23, 24 dhe 25 mars, solistë të njohur të TKOB do të interpretojnë në një nga veprat më mëdha të repertorit klasik botëror, siç është opera Rigoletto, e Xhuzepe Verdit e me libret të Francesco Maria Piave (sipas dramës së Viktor Hygo). Rigoletto është një opera me tre akte, nga Verdi i mbështetur mbi libretin e Francesco Maria Piave, ky i fundit i trajtuar sipas dramës së Viktor Hygo, Le Roi s'amuse ("Il re si diverte"). Për herë të parë është vënë në skenë në 11 mars të vitit 1851 në Teatrin La Fenice, të Venecias.