Periudha e errët për Emir Bajramin ka marrë fund. Futbollisti kosovar është rikthyer në fushën e blertë pas tre muajsh. 22 vjeçari luajti 30 minuta në fitoren e Twentes ndaj Heracles. Përfaqësuesi suedez ndihet i lumtur që u kthye, pas periudhës së vështirë dhe frustruese.


Nga Express më 21 janar 2011 në ora 12:43

Emir Bajrami i është kthyer fushës së blertë pas një pauze prej tre muajsh. Të mërkurën mbrëma, mesfushori kosovar ka luajtur gjysmë ore në fitoren e ekipit të tij Twente kundër Heracles me rezultat 5:0 në kampionatin holandez.



“Është një ndjenjë shumë e mirë, kam marrë lëvdata nga shumë njerëz pas ndeshjes. Tash jam i gatshëm”, ka thënë Bajrami për televizionin TV4.



Ish futbollisti i Elfsborg kishte pësuar një lëndim në këmbë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Werder Bremen vitin që shkoi. Ai e ka vuajtur mjaft këtë periudhë të errët.



“Natyrisht, ishte me të vërtetë vështirë dhe frustruese. Unë jetoj për futbollin dhe nuk është zbavitëse të mbetesh jashtë. Në të njëjtën kohë, njeriu bëhet i fortë pas këtyre rasteve. Është e nevojshme t’i shtrëngosh dhëmbët dhe ta kalosh këtë pengesë”, vazhdoi Bajrami për ueb faqen suedeze fotbollskanalen.se.



Futbollisti kosovar është i vetëdijshëm se për momentin nuk mund të luajë 90 minuta, por ai është optimist se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Bajrami shpreson që të jetë në formë për të luajtur edhe në ndeshjen e ardhshme të Twentes të dielën.



Pritet që 22 vjeçari të grumbullohet në Kombëtaren suedeze më 8-9 shkurt në Qipro. “Nuk kam biseduar ende me selektorin Erik Hamren, por ai më do dhe besoj se do të grumbullohem. Unë jam kthyer”, shtoi futbollisti kosovar.



Bajrami ishte transferuar në Twente gjatë verës së vitit të kaluar nga klubi suedez Elfsborg.