14/02/2005  Inisiatorët e draftit shprehen skeptikë për zbatimin e rregullores së Kuvendit


Projektligji për ish-bashkëpunëtorët e Shërbimit Sekret Shqiptar, ka gjetur sërish rrugën e diskutimit në parlament. Burimet kanë bërë të ditur se, në mbledhjen e fundit të konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare, është pranuar që ky draft të përfshihet në programin e punës së komisioneve parlamentare. Megjithatë, iniciatorët e tij janë shprehur se kanë shumë pak shpresa që ky draft të miratohet para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Sipas tyre, për këtë çështje është shkelur rregullorja, pasi projektligji duhet të ishte diskutuar që në muajin nëntor të vitit që shkoi. Projektligji synon që të largojë nga administrata e lartë shtetërore, ish-bashkëpunëtorët e shërbimit sekret, gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Gjithashtu, është kërkuar që kandidatët për deputetë, për kryetar bashkie apo komune, duhet të deklarojnë para zhvillimit të fushatës zgjedhore, nëse kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë me shërbimin e fshehtë. Inisiatorët Ndoka, Cako dhe Berzani, theksojnë se vetëm pas kësaj, zgjedhësit do të dinë se për kë do të votojnë. Në projektligj, kërkohet që të jetë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, që do të kontrollojë deklarimet e pushtetarëve. Megjithatë, duke parë se shtrirja e këtij propozimi dhe në administratën e lartë shtetërore mund të prekë një numër të madh, është pranuar që projektligji të kufizohet në kontrollin e deputetëve.


Inisiatorët theksojnë se, pas bërjes publike të faktit se kanë qenë apo jo në shërbimin sekret shqiptar, deputetët, bashkiakët apo kryetarët e komunave, do të jenë më të pavarur në vendimet që do të marrin.