Valeria Dedaj


Opera Skënderbeu (1968) e Prenk Jakovës rikthehet pas gjysmë shekulli në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më datat 18-19-21-22 qershor. Regjisori italian Carlo Saletti ka mbajtur parasysh muzikën e plotë të veprës që Jakova kompozoi mbi libretin e poetit të njohur të realizmit socialist të viteve 60, Llazar Siliqi. Saletti bëri të ditur dje për mediat se ky produksion synon të tregojë një figurë njerëzore të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, po aq sa të ruajë dimensionin e tij mitik kur flitet për luftëtarin dhe udhëheqësin kundër marshimit otoman drejt Europës. Kemi të bëjmë me një vepër korale ku marrin pjesë më tepër se 20 solistë, thotë Saletti.


Skënderbeu trajton ngjarjet vetëm brenda një viti, nga 1443 deri më 1444. Pra, skena dhe kostumet do ta mbajnë spektatorin në mesin e katërqindës. Por me një skenograf të ri e të talentuar si Platon Bardhi i cili do të ketë dorë edhe në kostumet që i janë besuar Edlira Qyshkës dhe Klement Mihalit, mesjeta arbërore do të ketë disa elementë bashkëkohorë. Ka arsye për të besuar te zbutja e një arkaizimi që sugjerojnë veprat patriotike të realizmit socialist, po t kemi parasysh punën që ka bërë Bardhi me një opera të ngjashme, Borana e Avni Mulës, risjellë në skenë vitin e kaluar.


Veshjet, sipas kostumografes Edlira Qyshka, do të kenë ndërthurje të elementeve të veshjeve të epokës së 1400-s me elemente tradicionale të mëvona.


Skënderbeu është operë me dy akte dhe gjashtë tablo. Ngjarjet zënë fill vjeshtën e vitit 1443, me një kryengritje fshatarësh të revoltuar nga pushtuesit osmanë. Gjergj Kastriot Skënderbeu – interpretohet nga tenori i ftuar anglez Roy Stevens, dhe artisti shqiptar Erlind Zeraliu – u bën thirrje arbërve të bashkohen për të çliruar Krujën.


Në aktin e dytë, ku ngjarjet ndodhin në pranverë-verë të vitit 1444, ka vend për pak lirizëm femëror, që vjen përmes takimit të Mamicës (Manjola Konjari, Irida Dragoti, Ivana Hoxha) dhe Donikës (Irini Nikolla, Emiljana Palushaj, Deshira Ahmeti, Shpresa Beka). Donika i beson ndjenjat që ka për Gjergjin.


Si gjithmonë, ashtu siç e trajton arti shqiptar epokën skënderbejane, ka dhe një dashakeqësi të venedikasve, që punojnë mbrapa krahëve, e që për subjektin dramatik përbëjnë një pikë që e shtyn përpara aksionin. Ky zhvillim vjen përmes figurës së Françeskut  (baritoni Armando Likaj). Thirrja e fundit e Skënderbeut për tiu përgjigjur ushtrive të sulltanit i çon arbërit, në qershor 1444, drejt fushës së Torviollit…


Opera Skënderbeu u vu në skenë për herë të parë nga trupa e Teatri i Operës e Baletit  në Tiranë, më 17 Janar 1968 nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Krantja me disa shkurtime nga vepra origjinale. Në rolin e Skënderbeut ka interpretuar tenori Gjoni Athanas, kurse në rolet e tjera, Nina Mula, Kristaq Paspali, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Hysen Kurti etj.. Kësaj here opera vjen në TKOB nën regjin e Carlo Saletti-t. As/regjisore: Ada Gurra; dirigjentë kori: Dritan Lumshi, Milto Vako, Zef Çoba, Irida Bega; dirigjenti i bandës: Halim Teqja; koreograf: Arian Sukniqi; mjeshtër koncertues: Zhani Ciko.