Ndryshimet në statut parashikojnë rikthimin e postit të Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Socialiste.


Ai do të jetë numri i dy i partisë dhe do të kryejë të gjitha detyrat e kryetarit kur ai mungon apo do të jetë i angazhuar në punët e qeverisë kur është kryeministër. Pra, Sekretari i Përgjithshëm do të jetë kryetari në hije që do të merret me menaxhimin e partisë dhe duhet të jetë një individ me shumë njohje e mbështetje brenda partisë.


Kërkohet që personi që mban këtë detyrë të mos jetë as deputet dhe as kryetar i grupit parlamentar. Ai duhet të merret vetëm me punët e partisë dhe anën organizative.


Ky post ka qenë në PS deri në vitin 2011, kur socialistët ishin në opozitë dhe kur u bë statuti i ri.


Posti i Sekretarit të Përgjithshëm u zëvendësua me rolin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS, post të cilin e mban Gramoz Ruçi. Statuti i ri do të votohet në Kongresin e 19 marsit.