RinasiÇmimi i shtrenjtë i biletave vijon të mbetet shqetësim për ata që udhëtojnë përmes Aeroportit të Tiranës.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria i ka çmimet disa fish më të larta.

Me një kërkim të thjeshtë në internet, sheh që nga Aeroporti i Shkupit, mund të udhëtosh në shumë destinacione të Europës dhe vlera e biletës nuk është më shumë se 50 euro, madje ka nga ato vende si Brukseli apo Barcelona, të cilat i gjen me vetëm 36 euro.

Këto çmime ata të cilët udhëtojnë nga Tirana, nuk i kanë gjetur ndonjëherë. Nga aeroporti i vetëm i Shqipërisë biletat janë sipër vlerës 130 euro.

Sikur të mos mjaftonin taksat e larta të aeroportit që rritin vlerën e biletës, disa kompani kanë filluar të faturojnë qytetarët edhe për bagazhet që marrin me vete.

Linja të ndryshme të kompanive ajrore vendosin tarifa edhe për çantat që pasagjerët marrin me vete në avion. Kjo madje duket edhe në ofertat që agjencitë turistike bëjnë në sitet që shesin biletat. Bagazhi për ata që udhëtojnë nga Tirana është në varësi të kompanisë ajrore.

Agjencitë turistike thonë se e kanë problem të organizojnë grupet e tyre për të ardhur në Shqipëri për shkak se oferta që ata nxjerrin është më e lartë se ajo e rajonit. Ata bëjnë përgjegjës koncesionarin, që ka vendosur taksa te larta mbi linjat e fluturimeve.

Shqipëria nuk ka asnjë linjë fluturimesh "Low Cost", kjo për shkak se askush nuk mund ta ofrojë këtë shërbim, përballë taksave të larta. Rajoni konkurron vendin tonë edhe me destinacionet direkte. "Wizz Air" në Maqedoni ka 30 linja direkte, ndërsa të gjitha kompanitë bashkë në Tiranën, ofrojnë vetëm 25 destinacione të tilla./vizionplus.tv