Fillon sot aventura e fazës së grupeve të aktivitetit më të madh europian të klubeve, Champions League. Në fushë do të zbresë Reali i Madridit, i cili do të përballet me kampionët e Anglisë të Mançester Sitit.



Spanjollët e drejtuar nga Mourinjo janë ekipi me më shumë trofe të Champions League, ndërkohë që nuk e kanë filluar aspak mirë këtë sezon në kampionatin spanjoll.

Gjithësesi, përballja e sotme konsiderohet si më të mëdhatë e fazës së grupeve të këtij aktiviteti, pasi edhe grupi D ku ata bëjnë pjesë është më i forti.

Në prag të kësaj sfide, i pari që i hedh benzinë zjarrit është si gjithmonë Mourinjo me shprehjen: "Paratë nuk mund të blejnë trofe ose histori".

Nëntë herë kampionët e Eruopës do të presin sot në ‘Bernabeu’ Mançester Sitin, i cili nuk shkon aspak si inferior, pavarësisht se në sezonin e shkuar nuk arriti as të dilte nga faza e grupeve.

"Në sezonin e shkuar morëm një eksperiencë të vlefshme nga faza e grupeve edhe pse dështuam, por besoj se në këtë sezon do t'ia dalim mbanë", thotë trajneri Mançini.

Veç tyre në arenën europiane do të debutojë në këtë sezon edhe Milani, skuadra e dytë me më shumë trofe në Champions League. Kuqezinjtë e Alegrit do të përballen me kampionët belgë të Andërlehtit.

Pasi ka shitur në merkaton e verës Ibrahimoviç, Tiago Silvën dhe Kasanon, Milani nuk e ka filluar mirë as kampionatin ku ka humbur dy ndeshje në shtëpi. Kjo gjë për herë të fundit i kishte ndodhur Milanit në vitin 1930.

"Na duhet të bëjmë diçka më shumë dhe duhet ta bëjmë sot. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë skuadër dhe asnjë ndeshje”, ka thënë trajenri Alegri.

Edhe pse është kualifikuar në fazën e 16-sheve në dy sezonet e fundit dhe në çerek finale vitin e shkuar, Milani ka regjistruar vetëm 5 fitore. Nga ana tjetër Andërlehti rikthehet në Champions League pas 6 vitesh mungesë dhe asnjëherë nuk ka fituar në Itali.

Me interes pritet sot edhe debutimi i Paris Sënt Zhërmeinit të sheikëve në Champions. Ata rikthehen pas tetë vitesh, por këtë herë me lojtarë shumë të mëdhej nga më kryesorët, sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç.

Ndeshjen e parë të tyre do të la luajnë në shtëpi përballë Dinamos së Kievit. Interesante duket edhe përballja tjetër e mbrëmjes së sotme ajo mes Borusia Dortmundit dhe Ajaksit apo Arsenal-Montpelie.

Këto por edhe ndeshjet e tjera të Champions League do të keni mundësinë si gjithmonë t'i ndiqni drejtpërdrejt në SuperSport, në standartin më të lartë vizual, HD.