TIRANE-Pritej që e shtuna të ishte përfundimtare sa i takon rinovimit të kontratës nga ana e trajnerit Xhani De Biazit në krye të kombëtares shqiptare. Ishte caktuar se 5 tetori, data e mundshme e takimit mes palëve dhe rinovimit ose jo të kontratës së trajnerit aktual që drejton Shqipërinë. 

Nuk ka ndodhur as dje ky takim i shumëpërfolur, nuk dihet nëse do të bëhet edhe sot, një ditë para grumbullimit të futbollistëve kuqezinj për ndeshjet e radhës kundër Zvicrës më 11 tetor dhe ndaj Qipros më 15 tetor. 

Në mediat italiane është komentuar se trajneri De Biazi po rinovon me Shqipërinë, madje tekniku italian paska refuzuar edhe skuadra të Serisë A për të drejtuar, vetëm e vetëm se është duke pritur rinovimin me kombëtaren shqiptare, por kjo akoma nuk ka ndodhur dhe nuk dihet nëse do të ndodhë edhe sot. Gjasat janë që të ndodhë para së premtes, në të kundërt mendohet që rinovimi nuk do të ndodhë.

Por, teksa të gjithë presin rinovimin e kontratës së De Biazit, një tjetër lajm shqetësues vjen nga Qipro. Klubi i APOEL Nikosia, një ndër më të mëdhenjtë në vend dhe ndër më të pasurit, i ka bërë një ofertë zyrtare De Biazit dhe është tashmë në pritje të përgjigjes së këtij të fundit. Drejtuesit e këtij klubi, që kanë shkarkuar vetëm pak ditë më parë portugezin Paolo Serxhio, tanimë dëshirojnë që të marrin pikërisht trajnerin aktual të Kombëtares shqiptare në drejtim të skuadrës së tyre. Mësohet se De Biazi e ka marrë në konsideratë këtë ofertë, ashtu sikundër ka bërë edhe me të gjitha të tjerat që kanë shkuar në drejtim të tij gjatë kësaj kohe, por nuk ka kthyer ende asnjë përgjigje, qoftë pohuese apo refuzuese. Në fakt, tekniku është duke negociuar me FSHF-në për rinovimin e kontratës së tij, duke i dhënë prioritet më së shumti kësaj të fundit. Italiani i ka kërkuar Dukës një rritje page në masën e 30 përqindëshit përkundrejt asaj aktuale, teksa presidenti ka pohuar dhe konfirmuar disa herë se nuk ka ndërmend që të japë më shumë se 10 për qind. Madje, duke marrë parasysh edhe rrezikun e mosarritjes së një akordi me De Biazin. Nëse ndodh kështu, atëherë Duka do duhet të vihet menjëherë në lëvizje për gjetjen e një trajneri të ri, pasi kontrata e De Biazit përfundon në fund të këtij muaji.

(m.s/BalkanWeb)