Baleti “Romeo dhe Zhulieta”, vënë në skenë nga koreografi bullgar Peter Lukanov, rezultoi një nga premierat më të suksesshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Tragjedia shekspiriane u ngjit në skenë të shtunën në mbrëmje si një balet klasik, dhe si e tillë mori duartrokitjet e publikut. Tragjedia më e famshme e Shekspirit dhe kryevepra muzikore e Prokofiev-it, u realizuan në koreografinë e bullgarit Peter Lukanov dhe dirigjimin e Ermir Krantjes. Në natën e premierës në rolet e Romeos dhe Zhulietës interpretuan solistët Gerd Vaso dhe Enada Hoxha, si dhe trupa e baletit. “Jam shumë i kënaqur nga trupa e baletit që e sollën këtë vepër ashtu siç unë prisja. Në fund publiku e pëlqeu” tha koreografi Peter Loukanov menjëherë pas premierës. Baleti “Romeo dhe Zhulieta” është një ndër baletet më të vështirë në repertorin e skenave botërore, për këtë arsye edhe vënia në skenën modeste të Teatrit të Operas dhe Baletit ishte në fakt një sfidë si nga formulimi muzikor, ashtu edhe koreografia. “Përjetuam emocione të forta jo vetëm në fund nga duartrokitjet e publikut, por dhe nga vetë vepra që të fal shumë emocione. Nga duartrokitjet e publikut kuptova se ne e kemi përcjellë emocionin e kësaj vepre” - tha në fund të premierës balerina e parë e TKOB-së, Enada Hoxha. Romeo i saj në jetë Gerd Vasi ishte dhe Romeo në skenë. “Romeo dhe Zhuljeta është një balet i vështirë, por dhe shumë i bukur për t’u kërcyer. Është një vepër që ka të bëjë me pasionin, dashurinë dhe nuk mendoj se ka njeri që nuk do të dashurojë” - u shpreh Gerd Vaso.