Ndertimi i banesave prej druri ne Shkoze (1)Bashkia e Tiranës deklaron se ka marrë të gjitha masat për sistemimin dhe rehabilitimin e familjeve të komunitetit rom në Shkozë, të cilëve pak ditë më parë iu dogjën shtëpitë. Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Besjona Dede, ishte sot e pranishme në këtë zonë për të ndjekur punimet për ndërtimin e banesave provizore prej druri për komunitetin rom.


Duke përllogaritur motin e ftohtë dhe shiun, Bashkia e Tiranës mori masa për ti strehuar familjet e komunitetit rom në Qendrën Sociale të Bashkisë, të cilëve iu ofruan çadra për strehim, ushqim dhe veshmbathje, u shpreh Dede.


Ndërkaq, Bashkia po sheh mundësitë edhe për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë strehimit të këtij komuniteti në javët në vijim.


Me rindërtimin e barakave, të cilat do të jenë një strehim provizor për këto familje dhe për të gjithë komunitetin, pasi për një periudhë të shkurtër kohore ky komunitet do të ketë mundësi të jetojë në kushte më të mira jetese, si pasojë e aplikimit të një plani për sistemimin e jetesës së komunitetit rom, tha Dede.


Ajo sqaroi se ky plan do të synojë,jo vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës, por edhe fuqizimin e familjeve, krijimin e mundësive për arsimim dhe shërbim shëndetësor.


Punimet vazhdojnë dhe brenda ditës së sotme këto familje do të largohen nga Qendra Sociale e Bashkisë për tu strehuar në këto struktura druri, të cilat do të shërbejnë si mënyrë provizore deri në sistemimin e përhershëm të këtyre familjeve, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës.


Tre ditë më parë në komunitetin rom në Shkozë, si pasojë e një zjarri 11 familje mbetën pa strehë dhe në kushte të vështira jetese.


30 janar 2016 (gazeta-Shqip.com)